Moshat 25-35 vjeç më të prekurat nga HIV/AIDS, gjashtë viktima këtë vit

Moshat 25-35 vjeç më të prekurat nga HIV/AIDS, gjashtë viktima këtë vit

Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS, megjithatë vetëm përgjatë këtij vitit janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e HIV/AIDS.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të AIDS 2025.

“T’i tejkalojmë pengesat dhe të transformojmë përgjigjen ndaj AIDS”, kjo është motoja e fushatës së sivjetme botërore karshi kësaj sëmundje.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, u shpreh se përballja me HIV/AIDS-in mbetet një sfidë globale. Ajo theksoi angazhimin e këtij dikasteri për të forcuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që shërbimet shëndetësore për këtë sëmundje të jenë të qasshme për të gjithë.

Vuthaj njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nis shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

“Në fillim të vitit 2024… kemi filluar dhe në vazhdimësi të vitit 2025 po vazhdon MSh me implementimin dhe funksionalizimin me sukses të sistemit të digjitalizimit për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse që tashmë është i njohur SMSN, një nismë e rëndësishme për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse. Ky sistem i kohës e modern po ofron mundësi për mbledhje dhe analizim të të dhënave në kohë reale, element i rëndësishëm për luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse… Në fillim të vitit 2026, Ministria e Shëndetësisë do të filloj pilotimin e shpërndarjes së terapisë së PrEP-it(profilaksia para-ekspozimit për HIV) në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, aktivitet ky i cili ka rrjedh nga një nismë për hartimin dhe hulumtimin e PSO-së për shpërndarjen e PREP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor dhe kjo do t’i hap rrugë parandalimit dhe përhapjes së HIV, sidomos në grupet me rrezik të lartë“, tha ajo.

Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale karshi HIV/AIDS për shkak të kufizimit të fondeve.

“Viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS sepse në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve me të cilat është rrezikuar përparimi për kontrollin e kësaj sëmundje gjegjësisht arrija e asaj që është planifikuar deri në vitin 2030. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe edhe me cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve…..Këto terapi që janë pa pagesë edhe testimet janë pa pagesë ndihmojnë që të mos kemi të këtyre llojeve sa i përket pabarazisë, por ende mbetet sfida e dinjitetit dhe jetës normale apo dinjitoze në shoqëri”, deklaroi Baraku.

Shpërndaje në: