Muharremi: Slogani “Mos lësho pe” e shtyn votuesin drejt vetëshkatërrimit
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar në Facebook ndaj sloganit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe të rrezikshëm për shoqërinë kosovare, shkruan Periskopi
Sipas Muharremit, slogani “Mos lësho pe” është “këshilla më e dëmshme dhe rrezikshme që mund t’i jepet kosovarit aktualisht”, pasi, siç shkruan ai, mes rreshtave kjo thirrje po u thotë qytetarëve “mos mëso kurrë, mos e përdor trurin dhe mos e përdor mendjen kritike”.
Ai thekson se në jetë duhet gjithmonë të “lëshohet pe” duke përdorur arsyen dhe logjikën, duke reflektuar dhe duke mësuar vazhdimisht, në mënyrë që individi dhe shoqëria të përmirësohen.
Muharremi vlerëson se slogani po e shtyn votuesin drejt vetëshkatërrimit, pasi “nuk brengoset për mirëqenien dhe të ardhmen e tij” dhe promovon, sipas tij, arrogancën dhe refuzimin e reflektimit.
Duke cituar Stephen Hawkingun se “armiku më i madh i dijes nuk është injoranca, por iluzioni i dijes”, ai shkruan se kur dikush mendon se vetëm ai ka të drejtë, “aty i mbyll dyert e të kuptuarit dhe të dëgjuarit të tjerët”, ka shkruar Muharremi.



