Multimilioneri i arratisur i Gumnasellës së Lipjanit është i përfshirë edhe në një skandal tjetër

Multimilioneri i arratisur i  Gumnasellës së Lipjanit është i përfshirë edhe në një skandal tjetër

Ka disa ditë që biznesmeni multimilioner, Abedin Salihu, është në kërkim nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet se është i përfshirë në skandalin “Brezovica”. Kompania që është pronë e tij, Dino Company është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Në skandalin e ndërtimit të palestrës sportive në Zhegër të Gjilanit. Gazeta Insajderi, sjell detaje të këtij rasti

Pronari i “Dino Company”, multimilioneri nga Lipjani,  Abedin Salihu që nga java e kaluar është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës, i dyshuar për përfshirje në skandalin e shkatërrimit të Brezovicës.

Policia e Kosovës edhe pse e ka bastisur shtëpinë e tij në Lipjan nuk ka arritur ta kap Salihun.

Kompania “Dino” është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Atë të palestrës së Zhegrës në Gjilan. Gazeta Insajderi, sjell detaje nga ky skandal.

Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konsorciumin e kompanive “Visioni projekt” dhe ” Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95.965,42  eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

Kompanitë ishin të obliguara që punimet t`i kryhenin sipas kontratës sipas planinit dinamik prej 25 ditëve.

Por, punimet nuk ishin kryer sipas kontratës.

Kompania mbikqyrëse e këtyre punimve, “Arch Design” ua kishte pranuar konsorciumit punimet që e kapin vlerën rreth 66 mijë euro.

Në janar të këtij viti, është arrestuar pronari i kompanisë “Arch Design”, Mentor Ibishi, shkruan Gazeta Insajderi.

Ibishi sipas prokurorisë dyshohej se gjatë afro tre viteve ka pranuar si pozicione të kryera punë të pakryera që kapin vlerën rreth 66 mijë euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit.

Me këto veprime Ibishi, sipas prokurorisë i ka siguruar përfitim material kompanive fituese të tenderit për ndërtimin e palestrës sportive.

“Dyshohet se, i njëjti, në cilësi të mbikëqyrësit të punimeve të palestrës së sporteve në fshatin Zhegër, që nga data 12 Korrik 2017 deri më 03 Dhjetor 2020, ka pranuar si pozicione të kryera, punë të pa kryera në vlerë rreth 66.000 (gjashtëdhjetegjashtë mijë) euro, duke e  dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit, ndërsa kompanisë ‘’Vision Project/Dino-SHPK’’, i ka siguruar përfitim material në shumën e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ibishi si pronar i kompanie mbikqyrëse i kontraktuar nga Komuna e Gjilanit, me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shpërndaje në: