Mustafa takohet me AKP-në për demarkacionin

Mustafa takohet me AKP-në për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar sot me udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe drejtorin e Departamentit të Kufijve në Policinë Kufitare, Kolonel Shaban Guda, i cili shoqërohej nga Kapiten Avdyl Kadrija, shef i sektorit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare në Gjakovë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë dy takimeve, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, u bisedua në detaje për pronat e AKP-së të cilat ndodhen në brezin kufitar me Malin e Zi, si dhe për të gjitha aspektet që lidhen me punën e policisë kufitare në këtë zonë, në funksion të nxjerrjes së argumenteve dhe sqarimit të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Gjatë takimit me drejtuesit e AKP-së, u theksua se asnjë pronë e menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare të shënjuar nga Komisioni Shtetëror”.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Policisë Kufitare, kanë deklaruar se që nga marrja e mandatit për patrullimin e kufirit, ata në vazhdimësi kanë patrulluar vijën kufitare e cila përputhet në tërësi me vijën e shënjuar nga Komisioni Shtetëror.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e konsultave të gjithanshme, me të gjithë subjektet e interesuara dhe organet shtetërore, puna e të cilave në çfarëdo forme lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi, me qëllim të argumentimit dhe faktimit të të gjitha çështjeve që lidhen me shënjimin e vijës kufitare me Malit të Zi.

Shpërndaje në: