Nate Diaz pranon sfidën me Woodley: Opsioni më i mirë për rikthimin në ring
Pas deklaratës së Tyron Woodley, kampionit të botës në peshën “welter” në artet marciale mikse, se Nate Diaz do të jetë sfidanti i tij në duelin e radhës, ka ardhur sot replika e sfidantit amerikan, që ka thënë se është gati për këtë sfidë. Madje Diaz, i cili nuk duelon që prej gushtit të 2016-ës, ka shtuar se kjo sfidë me Woodley është opsioni më i mirë për të për t’u rikthyer në kafaz. Pak kohë më parë, Diaz deklaroi se ka shënjestruar muajt maj-qershor për t’u rikthyer në kafaz, pa bërë me dije se cili mund të jetë rivali.
“Pata deklaruar se synoja të dueloja në muajt maj-qershor, pasi nuk e dija se ndaj kujt do të përballesha në kafaz. Po shqyrtoja disa mundësi. Por tani them se Woodley është opsioni më i mirë që kam”, tha Nate Diaz, që duelin e fundit në kafaz e ka zhvilluar ndaj Conor McGregor, kur humbi revanshin ndaj irlandezit. Që prej asaj kohe, ai ka refuzuar mjaft oferta nga UFC-ja, por opak ditë më parë deklaroi se është gati për t’u rikthyer në kafaz, pasi ka mbetur i mërzitur nga duelet që sheh, sipas tij pa vlerë dhe rivalitet.

Edhe Woodley ka 8 muaj pa u ngjitur në kafaz, teksa sfida e tij e fundit daton në korrik të vitit të kaluar, në UFC-214, kur mbrojti titullin kampion bote ndaj Demian Maia. UFC-ja pat deklaruar se synonte t’i përballte dy sportistët në dhjetor të vitit të kaluar, por Woodley u operua në shpatull, duke shtyrë rikthimin në kafaz. Por tashmë duket se gjithçka është gati dhe dy sportistët mund të përballen mes tyre në verën e këtij viti. Gjasat janë që kjo sfidë për titullin kampion bote të zhvillohet më 7 korrik, në UFC-226, që zhvillohet në Las Vegas.



