Ndërkombëtarët dënojnë sulmin terrorist në Veri, kërkojnë hetim të plotë dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar në termat më të ashpër – njëzëri – sulmin terrorist të së premtes në Veri, duke kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Më 29 nëntor, rreth orë 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, ndonëse dëmi u sanua deri në një masë, Kosova akuzoi Serbinë për sulm në infrastrukturën kritike të vendit, ndërkohë Serbia mohoi se ka gisht në këtë sulm.
Këtë ngjarje, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “akt terrorist” e “sabotim të neveritshëm i infrastrukturës kritike”.
“Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten mbi kanalin e ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok, në Veri të Kosovës”, thuhet në reagim, duke theksuar se ky akt përshkruhet si “një sabotim i turpshëm ndaj infrastrukturës civile kritike të Kosovës”, e cila furnizon një pjesë të madhe të popullsisë me ujë të pijshëm dhe luan një rol të rëndësishëm në sistemin energjetik të Kosovës.
“BE-ja kërkon nga të gjithë aktorët të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës dhe do të monitorojë nga afër zhvillimet”, potencohet aty ndër të tjera.
Edhe Parlamenti Evropian (PE) e ka dënuar fuqimisht këtë incident dhe ka shprehur mbështetjen e plotë për institucionet e Kosovës në përpjekjet për të hetuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
PE-ja bëri thirrje që të sigurohet që personat përgjegjës për këtë akt kriminal të përballen me drejtësinë.
Sulmin në fjalë, e ka dënuar fuqishëm misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, duke ofruar mbështetje sigurie pas kësaj ngjarjeje.
Përmes një komunikate për media në orët e vona të së shtunës, KFOR ka theksuar se është e rëndësishme që faktet të sqarohen dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë.
“Që nga mbrëmja e kaluar, personeli i KFOR-it ka ofruar siguri për tubacionin e ujit dhe zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar mbështetje logjistike, çmontim të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sulmi terrorist është dënuar edhe nga Britania e Madhe, përmes Ministrit të Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret Jashtë, Stephen Doughty, i cili kërkuar një hetim të plotë dhe urgjent.
Përmes një postimi në platformën X, Doughty ka thënë se sulmi i tmerrshëm ndaj kanalit ujësjellës të Ibër-Lepencit kishte për qëllim të prishte jetën e përditshme në mbarë Kosovën.
“Duhet të ndërmerret një hetim i plotë dhe urgjent. Ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës dhe të dalin para drejtësisë”, shkroi Doughty.
Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, sulmi është dënuar edhe nga Gjermania, ku kanë ka shprehur solidaritet të plotë me Kosovën.
“Gjermania bashkohet me Bashkimin Evropian në dënimin më të ashpër të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që ndodhi dje. Solidaritet i plotë me Kosovën. Autorët e këtij akti duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e MPJ-së gjermane.
Po përmes Ministrisë së Jashtme sulmi është dënuar edhe nga Turqia.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e djeshëm në një kanal ujor në Zubin Potok në veri të Kosovës, i cili është kritik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Kosovës. Shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, kanë thënë nga MPJ-ja turke.
Më tej në reagim thuhet se, “shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur solidaritetin tonë me Kosovën dhe gatishmërinë tonë për të ofruar çdo ndihmë që mund të ketë nevojë”.
Në vazhdën e reagimeve për të dënur sulmin terrorist në Veri, ishte edhe ai i Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, i cili bëri thirrje për hetim të paanshëm dhe të gjithanshëm.
“Ne dënojmë sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe të gjithanshëm”, shkroi Orban.
Sipas kryeministrit hungarez, në këtë situatë, “vetëpërmbajtja është thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rajon”.
Ndërsa, si akt të “neveritshëm” dhe “frikacak” e ka konsideruar Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, ngjarjen e së premtes.
Përmes një postimi në platformën X, Pirc Musar ka shprehur solidaritetin me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje, derisa është shprehur e bindur se autorët do të gjenden dhe do të dalin para drejtësisë.
“Çdo sulm ndaj civilëve, në çfarëdo forme, është një akt i neveritshëm dhe frikacak. Sabotimi i infrastrukturës kritike civile që furnizon popullin e Kosovës me ujë të pijshëm nuk është gjë tjetër veçse një akt i tillë”, shkroi presidentja sllovene.
Më i shpejtë në reagimin për ta dënuar ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Jeffrey Hovenier.
Pak momente pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit të premten, Hovenier tha se shteti që ai përfaqëson dënon ashpër këtë akt, derisa bëri me dije se janë duke e monitoruar nga afër rastin dhe se do të mbështesin një hetim gjithëpërfshirës.
Ai bëri me dije edhe se i kanë ofruar mbështetjen e plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.
Edhe Ambasada e Francës dhe ajo e Italisë në Kosovë kanë dënuar me termet më të ashpra shpërthimin në Varagë të Komunës së Zubin Potokut.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Ambasada e Francës ka kërkuar hetim në atë mënyrë që përgjegjësit e sulmit të dalin para drejtësisë.
“Falënderojmë KFOR-in dhe EULEX-in për reagimin e tyre të shpejtë dhe mirëpresim koordinimin me Qeverinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në të njëjtën linjë ka qenë ambasada e Italisë.
“Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari përgjegjësit e këtij sulmi të poshtër”, thuhet në komunikatë.
Dënim të sulmit ka pasur edhe nga Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se kryesit e veprës duhet të mbajnë përgjegjësi, transmeton albanianpost.
“Pajtohem plotësisht me shefin e Zyrës së BE-së. Ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës kritike të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Lajçak.
Sulmi terrorist është dënuar edhe nga Shqipëria, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Kryeministri Edi Rama, ka thënë se akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.
“Ndërkohë Bashkimi Evropian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës”, shkroi Rama në X.
Sulmi terrorist u dënua edhe nga partitë opozitare parlamentare në vend: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nga PDK, përmes kryetarit Memli Krasniqi, kanë thënë se ky sulm kërkon hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të, derisa ka kërkuar shtim të presionit ndaj Serbisë.
Një qasje më ndryshe e pati Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Përderisa dënoi sulmin, ai tha se Kurti “po provon ta devijojë situatën në Veri”, derisa konsideroi se “është më serioze sesa një luftë hibride”, duke iu kundërpërgjigjur kreut të ekzekutivit, i cili në konferencë për media të premten akuzoi disa mediume e analistë për dezinformim.
E LDK-ja i konsideroi si akte terroriste të papranueshme ngjarjet e fundit në Veri, dhe vlerësoi se të njëjtat përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e vendit.



