Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë

Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas propozimit të mbrojtjes për dëgjimin edhe të një dëshmitareje, është ndërprerë seanca e së hënës ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë.

Propozimin për dëgjimin e dëshmitares B.G., e ka bërë mbrojtësi i të akuzuari Nika, avokati Drilon Imeri përmes një parashtrese të dorëzuar në Gjykatë, ndërsa edhe në seancën e sotme deklaroi se mbetet pranë propozimit që ajo të dëgjohet në këtë shqyrtim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas mbrojtjes, dëshmitarja B.G., ishte në vendin e ngjarjes në cilësinë e doktoreshës kur kishte marrë ndihmën e parë viktima M.K.

Lidhur me këtë propozim, prokurori i rastit Armend Hamiti nuk pati kundërshtime, ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala e kundërshtoi.

Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit Nika.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri konstatoi se në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit, seanca e sotme ndërprehet, ndërsa e radhës u caktua për një ditë tjetër.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Shpërndaje në: