Ndikimi i luftës në treg, vlera e bitcoin bie, kaq është montalisht
Bitcoini ra nën 63.000 dollarë gjatë fundjavës, pas lajmit për një sulm të përbashkët ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke tronditur tregjet globale financiare
Në vetëm 24 orë, kriptomonedha më e njohur humbi mbi gjashtë për qind të vlerës së saj, duke fshirë pjesë të rimëkëmbjes së fundit dhe duke thelluar humbjet për këtë vit.
Përveç Bitcoin-it, edhe kriptomonedhat e tjera të mëdha, si Ethereum, shënuan humbje të ngjashme. Analistët vlerësojnë se kjo është një reagim klasik i investitorëve, të cilët në kohë pasigurie gjeopolitike tërheqin kapitalin nga asetet më të paqëndrueshme dhe e kanalizojnë drejt instrumenteve më të sigurta.
Shtesa e presionit erdhi edhe nga vetë struktura e tregut të kriptove. Më shumë se 450 milionë dollarë në pozicione derivatesh u likuiduan brenda 24 orëve të fundit, ku investitorët që kishin bastuar në rritje të çmimeve pësuan më së shumti. Ky proces i likuidimit automatik shtoi më tej ritmin e rënies.
Ndërkohë, asetet tradicionale “të sigurta” për kapitalin u vlerësuan. Çmimi i arit kaloi 5.000 dollarë për një ons, ndërsa kërkesa për bono shtetërore amerikane u rrit. Kjo tregon se investitorët në situata krize vazhdojnë t’u besojnë më shumë formave tradicionale të ruajtjes së kapitalit sesa kriptomonedhave.



