Ndodh edhe kjo, Prishtina e Rahoveci ngatërrojnë lojtarët në aeroport
Nëse ndodh që në të njëjtën kohë në Kosovë të arrijnë dy basketbollistë të huaj, të klubeve të ndryshme, atëherë ka gjasa që anëtaret e klubeve të kenë vështirësi të dallojnë se cili është lojtari i tyre. E pikërisht një situatë e tillë ka ndodhur të enjten mbrëma në Aeroportin e Prishtinës.
Në të njëjtën kohë kanë zbarkuar basketbollisti i ri i Sigal Prishtinës, amerikani Mike Moser dhe basketbollisti i ri i Rahovecit, amerikani Ronald Farmer-Blanchard. Moser është i gjatë 203 centimetra, ndërsa Farmer-Blanchard i gjatë 208 centimetra. Me gjithë dallimin në gjatësi, në aeroport është paraqitur një situatë e pazakontë.
Në fakt i deleguari i klubit Prishtina ka hasur fillimisht në basketbollistin e Rahovecit dhe pa konfirmuar se për cilin lojtar bëhet fjalë e ka marrë atë me vete për ta dërguar në Prishtinë. Kur në aeroport janë paraqitur zyrtarë të Rahovecit, aty kanë gjetur Moserin, përkatësisht lojtarin e Prishtinës.



