Në Barcelonë, në Real, në Spanjë – Si e kishte ndërtuar mistershëm karrierën trajneri bask Lopetegui?
Mbrëmë Klubi i Futbollit Real Madrid, shkarkoi trajnerin e saj Julen Lopeteguin, shkruan Periskopi. Ai është bask por ka nisur karrierën si futbollist te të rinjtë e Real Madridit duke qenë portier. Karriera e tij prej portieri sidoqoftë, ishte tepër e varfër.

Ai kishte nisur të luante për ekipin e parë të real Madridit por për tre vite kishte qëndruar gjithë kohën në bankë, duke u paraqitur vetëm një herë gjithsejt. Por, siç nuk mund t’ua merr mendja, portieri rezervë kishte luajtur madje një herë edhe për kombëtaren e Spanjës në vitin 1994.

Dhe si 28 vjeçar, Lopetegui kalon te Barcelona, te një ekip tjetër i madh. Por, për tre vite te Barça ai bëri vetëm 5 ndeshje.
Si trajner, karriera e tij ishte edhe më misterioze duke qenë se nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme e megjithatë ia doli mbanë të drejtonte kombëtare të mëdha.
Ta zëmë, për një periudhë të shkurtër ai ishte asistent në Kombëtaren U-17 të Spanjës, nga e cila u bë trajner i Rayo Vallecanos ku dështoi. Pastaj, pesë vite më vonë, ai filloi të menaxhonte Real Madrid B-në, ku poashtu dështoi. Një vit më vonë, ai nisi t’i drejtonte grupmoshat e Spanjës, U-19, U-20 dhe U-21.

Pikërisht në atë periudhë, e mori Porto, ekipi portugez. Edhe pse nuk arriti madje të fitonte as ligën me Porton, ai ia doli mbanë të bëhej trajner i kombëtares me lojtarët më të mirë në botë, Spanjës.
Dhe, çfarë ndodhi më pas mbetet përsëri mister. Ai e drejtoi Spanjën për dy vite, për t’u bërë trajner i Real Madridit para se të largohej nga Spanja. Spanja e përjashtoi, kësisoji, para se të niste Kampionati Botëror.

Në Real Madrid, Lopetegui sërish dështoi. Por, ky trajner sa herë që ka dështuar ka shënuar përparime gjithnjë e më të mëdha. Kënd do ta menaxhojë në të ardhmen? Bayernin, Manchester Cityn, Parisin apo Juventusin? /Periskopi



