Në gjendje të rëndë efektivët e Gardës: Trump merr një vendim për afganët

Në gjendje të rëndë efektivët e Gardës: Trump merr një vendim për afganët

Janë në gjendje të rëndë dy efektivët e Gardës Kombëtare të cilët ranë pre e një sulmi të armatosur në Uashington, në një zonë jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili në një konferencë shtypi ka përgënjeshtruar deklaratën e mëhershme të guvernatorit të Virxhinias Perëndimore, se dy ushtarët kishin vdekur.

Ndërkohë, një sërë detajesh janë zbuluar mbi autorin e sulmit, i cili u arrestua pak momente pas ngjarjes. Ai është një emigrant afgan 29 vjeç dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021.

Sipas autoriteteve, ai jetonte në shtetin e Uashingtonit dhe dyshohet se në sulmin e kryer ndaj dy gardistëve ka vepruar i vetëm.

Në të kaluarën ai kishte bashkëpunuar me CIA-n dhe forcat amerikane në Afganistan, përpara se të merrej në Shtetet e Bashkuara një muaj pas tërheqjes kaotike të trupave nga vendi.

Si reagim ndaj ngjarjes, administrata amerikane ka pezulluar të gjitha kërkesat për vizë të bëra nga shtetasit afganë.

Shërbimi amerikan për Shtetësinë dhe Emigracionin ka deklaruar se vendimi u mor dhe do të zbatohet derisa të bëhet rishikimi i protokolleve të sigurisë dhe kontrolleve.

Vetë presidenti Donald Trump, duke reaguar më herët tha se sulmi ishte një “akt terrori” dhe shtoi se do të avancojë përpjekjet për dëbimin nga vendi të të huajve, që sipas tij nuk e kanë vendin në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, sekretari i Luftës, Pete Hegseth njoftoi dërgimin e 400 efektivëve të tjerë të Gardës Kombëtare në Uashington, për t’i bërë ballë sfidave të lidhura me sigurinë./Periskopi/

Shpërndaje në: