Në Kroaci shkruajnë për “shpërthimin e pabesueshëm” të Hoxhës

Në Kroaci shkruajnë për “shpërthimin e pabesueshëm” të Hoxhës

Me golin që e shënoi në minutën e 102-të në derbin e madh ndaj Hajdukut të Splitit, Arbër Hoxha vetëm e ka konfirmuar formën e lartë që po e kalon te Dinamo Zagrebi.

Falë golit të Hoxhës, Dinamo barazoi 1:1 në “Maksimir” me rivalin më të madh, Hajdukun, të shtunën në derbin e xhiros së 16-të të elitës kroate të futbollit. Dinamo është në vnedin e parë në tabelë me 32 pikë, një më shumë se Hajduku. Dhe kjo vlerësohet meritë e madhe e reprezentuesit të Shqipërisë.

Në mediumet kroate, shkrimet për Hoxhën janë në superlativ. 27-vjeçari ka shpërthyer në vjeshtë. Më 22 nëntor shënoi dy gola në fitoren 3:1 ndaj Varazhdinit. Më 1 nëntor shënoi për fitoren 2:1 në derbin tjetër ndaj Rijekës. Më 28 shtator shënoi dhe asistoi në fitoren 4:1 ndaj Slaven Belupos, ndërsa më 20 shtator kishte gol në fitoren 2:0 të Dinamos po ndaj Hajdukut, në Split.

Në 15 paraqitje kampionale ka gjashtë gola, secili më i rëndësishëm se tjetri, dhe dy asistime.

“Arbër Hoxha edhe një herë ka treguar që është lojtari më i mirë i Dinamos këtë vjeshtë. Është e pabesueshme se si ka shpërthyer këtë stinor”, ka shkruar mediumit kroat “Germanijak”.

“Kushedi për të satën herë këtë vit Hoxha i sjell pikë Dinamos. Kur të gjithë duken të lodhur dhe të shpenzuar, ai ende vazhdon me ritëm të plotë. Sa i takon atij, mund të luhet 120 minuta”, ka shkruar tutje ky medium.

Për trajnerin e Dinamos, Mario Kovaçeviq, paraqitjet e Hoxhës nuk janë të rastësishme. Ai vlerëson punën e kosovarit.

“Arbëri po punon mirë dhe mendoj se të gjithë ishim në nivel. Atij iu shpërblye me gol dhe më vjen mirë. Po punon mirë dhe po i kthehet çdo gjë”, ka thënë Kovaçeviq.

Pas derbit të madh foli edhe Hoxha.

Sulmuesi i krahut ka thënë se është i lumtur me golin, por jo me barazimin.

“Para dy javësh ishim në vendin e dytë, tani jemi në të parin. Dhe kjo është mirë. Luajmë tani në Evropë dhe jemi pak të lodhur. Për Evropë nuk na duhet motivimi. Luajmë me Betisin dhe mendoj se kemi shumë kualitet”, ka thënë Hoxha.

Pas derbit ka pasur reagime të shumta lidhur me referimin dhe kohën shtesë. Ka pasur vlerësime se Dinamo është dëmtuar nga arbitrat. Pavarësisht zhvillimeve, Hoxha edhe një herë dëshmoi se është bartës i Dinamos në këtë edicion.

Shpërndaje në: