“Nëse dikush s’jep maksimumin, Xhaka e vë menjëherë në vend”, Isidor me një rrëfim ndryshe për kapitenin e Sunderlandit
Sulmuesi Wilson Isidor ka zbuluar ndikimin e jashtëzakonshëm që Granit Xhaka ka te Sunderland, duke e përshkruar kapitenin e Zvicrës si njeriun që sjell mentalitetin e fituesit në çdo seancë stërvitore.
Xhaka shkroi historinë brenda dy viteve me Leverkusenin, ku e fitoi tripletën në Gjermani, kurse këtë verë ndoqi hapat e Xabi Alonsos e Florian Wirtz për t’u larguar përfundimisht, duke iu bashkuar Sunderlandit.
Me kalimin te Sunderland, Xhakës iu besua shiriti i kapitenit dhe menjëherë e ka sjellë mentalitetin fitues te klubi anglez. Isidor ka treguar disa prapaskena interesante, ku mesfushori shqiptar e ka kritikuar edhe një 17-vjeçar, i cili po bënte disa ndërhyrje jo të lehta në stërvitje.
“Granit Xhaka është fitues që prej dy vitesh me Leverkusen. Ai sjell një mentalitet fitues edhe në ndeshjet e vogla gjatë stërvitjeve. Nëse cilësia e seancës nuk është e mirë, ai do të bërtasë” raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Ai ndër të tjera përmendi edhe një shembull konkret: “Në skuadër kemi të riun Chris Rigg (i lindur në 2007). Në një moment, ai ishte pak i pakujdesshëm në stërvitje dhe Xhaka shkoi menjëherë t’i flasë, për t’i kërkuar të ndryshonte qëndrimin. Dhe ndryshoi menjëherë”
“Ky është Granit Xhaka – udhëheqës i lindur, shembull për të gjithë”, deklaroi ai për “L’Equipe”.
Ndërkohë, Xhaka ka shkëlqyer prej kalimit te Sunderland në Ligën Premier, mirëpo fatkeqësisht për të – të shtunën e pësuan humbjen e parë në kampionatin anglez nga Manchester Unitedi.
Xhaka tani do të drejtojë Zvicrën në dy ndeshjet për kualifikimet e Kupës së Botës, kundër Suedisë dhe Sllovenisë./Periskopi/



