Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni
Sulmuesi Neymar pritet t’i nënshtrohet një operacioni në gju, pasi luajti i dëmtuar për të ndihmuar Santosi të shmangë rënien nga elita e futbollit brazilian.
Fitorja bindëse 3:0 ndaj Cruzeiros të dielën i siguroi mbijetesën klubit, por njëkohësisht shtoi edhe më shumë pikëpyetje për pjesëmarrjen e yllit brazilian në Kupën e Botës vitin e ardhshëm.
33-vjeçari u rikthye në janar te klubi i fëmijërisë së tij, Santos, pas një aventure jo të gjatë në Arabinë Saudite. Pavarësisht problemeve të vazhdueshme fizike, ndikimi i tij në javët vendimtare ishte i jashtëzakonshëm, pasi shënoi pesë gola në katër ndeshjet e fundit, duke luajtur një rol kyç në mbijetesën e ekipit në kampionatin brazilian.
“Për këtë kam ardhur, të përpiqem të ndihmoj sa më shumë që mundem. Këto javë kanë qenë shumë të vështira për mua”.
Neymar, i cili këtë sezon ka luajtur vetëm në 20 nga 38 ndeshjet e ligës për shkak të lëndimeve të shpeshta, theksoi se pa mbështetjen e njerëzve rreth tij do ta kishte pasur të pamundur të zbriste në fushë në fund të sezonit.
“I falënderoj të gjithë ata që qëndruan pranë meje për të më ngritur. Nëse nuk do të ishin ata, nuk do t’i kisha luajtur këto ndeshje për shkak të këtyre lëndimeve, këtij problemi me gjurin. Më duhet pushim dhe më pas do t’i nënshtrohem operacionit në gju”, përcjell telegrafi.
Sulmuesi nuk dha detaje të mëtejshme rreth natyrës së operacionit apo një afati të saktë për rikuperimin e tij të pritshëm, duke lënë të hapur mundësinë e një mungese të gjatë nga fushat e blerta.
Ndërkohë, Neymar nuk ka zhvilluar asnjë paraqitje me përfaqësuesen e Brazilit prej dy vitesh, për shkak të një serie lëndimesh që kanë penguar vazhdimësinë e tij.
Në tetor, përzgjedhësi i kombëtares braziliane, Carlo Ancelotti, kishte deklaruar se Neymar duhet të rikthehet në formë të plotë fizike nëse dëshiron të rimeritojë një ftesë për Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Periskopi/



