Ngrohje e kufizuar në disa zona, Termokos: Jemi në pritje të furnizimit me kapacitetin e nevojshëm të energjisë termike nga KEK
Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka thënë se ka furnizim me kapacitet të kufizuar në disa zona të kryeqytetit.
“NP “Termokos” tashmë ka njoftuar gjithë konsumatorët, që në pamundësi që të furnizohemi me sasitë e nevojshme të energjisë termike për të ofruar ngrohje të mjaftueshme për konsumatorët tanë, aktualisht, ka furnizim me kapacitet të kufizuar për disa zona të kryeqytetit.”
Uka thotë se nuk ka mungesë totale të ngrohjes në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.
“Në pozicione të caktuara të lagjeve “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”, pamundësia për t’u furnizuar me kapacitetin e nevojshëm të energjisë termike ka pasur ndikim në uljen e cilësisë së ngrohjes për objekte të caktuara, por nuk ka mungesë totale të ngrohjes”, tha ajo për GazetaExpress.
Ajo shtoi se janë në pritje të furnizimin me kapacitetin e nevojshëm të energjisë termike nga KEK-u, “gjë që për momentin është e vetmja mundësi për stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët”.



