‘‘Nisi të qante’’, e solli mbesën e tij nga Siria në Shqipëri pas 12 vitesh kërkim, flet Xhetan Ndregjoni: S’munda ta besoja se erdhi

‘‘Nisi të qante’’, e solli mbesën e tij nga Siria në Shqipëri pas 12 vitesh kërkim, flet Xhetan Ndregjoni: S’munda ta besoja se erdhi

Xhetan Ndregjoni nuk i ndali asnjëherë përpjekjet për të sjellë nga Siria mbesën e tij, Eva.

Për plot 12 vite, me mënyrat më të ndryshme, ai tentoi e tentoi shumë herë t’i sillte të motrës të bijën, të cilën bashkëshorti, përmes mashtrimit, ia mori duke shkuar në Siri e duke iu bashkuar Shtetit Islamik.

Nuk kanë munguar rastet kur atë e kanë mashtruar me premtime false për ta kthyer Evën.

Në një intervistë për Top Channel, nga Stambolli, Xhetan Ndregjoni ka treguar vuajtjet e fundit të këtij kapitulli 12-vjeçar.

“Kemi kaluar 48 orë të vështira pasi Eva mbërriti në kufirin turk me Sirinë. Autoritetet turke të sigurisë e kanë intervistuar Evën për disa orë, por më në fund, me ndihmën e autoriteteve shqiptare, ajo mbërriti paraditen e sotme në shtëpi”, tha ai.

“Ne i mirëkuptuam në shqetësimin e tyre, pasi e dinim se në çfarë rrethanash vinte Eva.”

Xhetani tregon momentin kur, pas 12 vitesh, takoi mbesën.

“Mu hodh në qafë e vetëm thoshte: daja, daja… nisi të qante. Ishte e frikësuar, pasi ishte rrethuar me njerëz të panjohur, të cilët e sollën nga një rrugë e gjatë prej Sirisë në kufirin me Turqinë.

Nuk munda ta besoja se ajo mbërriti. Hera e fundit kur e kisha parë ishte 8 vjeçe. Ajo sot është 20 vjeçe. I dridhej zëri kur më përqafoi. Deri në atë moment ia kisha dëgjuar zërin vetëm nga mesazhet zanore që na dërgonte. E gjitha ishte e pabesueshme, pasi në të shkuarën shumë herë na ishte premtuar se do ta sillnin Evën, por nuk ndodhi.”

I jam mirënjohës shumë njerëzve të përfshirë në sjelljen e Evës në shtëpi.”

Xhetani thotë se, pasi të çmallet me nënën e saj, të motrën e tij, ai dëshiron që Eva, njësoj si fëmijët e tij, të vijojë jetën e rrethuar me dashuri, bashkë me të vëllain Endrin.

Ndërsa, në një mesazh në rrjetet sociale, ai thotë: “Eva, sot erdhi pranë familjes!

Mirënjohje të pafundme për çdo njeri që besoi tek Eva dhe për çdo njeri që ndihmoi që Eva të jetë sot pranë familjes! Faleminderit! Faleminderit!”./Periskopi

Operacioni sekret në Siri – nxirret nga kampi Eva Dumani, ka arritur në Rinas mëngjesin e së shtunës

Shpërndaje në: