Nisin telashet te PSG, Neymar dhe Cavani përpalsen se cili duhet të gjuajë penalltinë (Foto/Video)
Te milionerët e PSG, atmosfera në skuadër nuk duket dhe aq miqësore. Kjo gjë u vu re në ndeshjen e djeshme ndaj Lionit. Ishin dy momente ku futbollistët parisien patën mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, ku protagonistë në të dyja rastet ishin sulmuesit Nejmar dhe Kavani.

Gjithçka nisi me një goditje dënimi ku Dani Alvesh nuk pranoi t’ia jepte topin Kavanit për ta ekzekutuar, por ia dorëzoi patriotit të tij brazilian. Kontradiktat vazhduan edhe në minutën e 80-të, Kavani po bëhej gati që të gjuante 11 metërshin, ndërkohë Nejmar iu afrua dhe i kërkoi ta gjuante ai. Pas një dialogu disa sekonda, sulmuesi uruguaian refuzoi dhe e ekzekutoi vetë penalltinë, por pa arritur të shënonte pasi topi u prit nga portieri mik.
https://www.youtube.com/watch?v=PvGdgPtiOxA
Në konferencën pas ndeshjes, për këtë çështje foli edhe trajneri i PSG-së, Unai Emeri i cili u shpreh: “Unë u kam kërkuar atyre që ta zgjidhin mes tyre, sepse mendoj që janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, përndryshe do te vendos vet. Nuk dua që këto gjëra të jenë një problem për ne”, përfundoi tekniku.



