Një dëshmitar i Prokurorisë pranoi se e ekzagjeroi rrëfimin vetëm për t’u pranuar si viktimë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Njëri nga dëshmitarët në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka pranuar se ka ekzagjeruar torturat që pretendon se iu ishin bërë atij, vetëm për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces.
Bëhet fjalë për dëshmitarin e 35-të në këtë proces gjyqësor, i cili ishte dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë dëshmisë së tij, mbrojtja e Selimit, konkretisht avokati Geoffrey Robert, kishte vërejtur mospërputhje të deklaratave sa i përket kohës së rrahjeve dhe mënyrës si është rrahur.
Pas kësaj, vetë dëshmitari kishte pohuar se ka ekzagjeruar dëshminë e tij, siç bëhet e ditur nga transkriptet e riklasifikuara si publike me redaktimet përkatëse.
Goeffrey Roberts: Patjetër. Pra, a e pranoni, e pranoni që keni ndryshuar dëshminë dhe e keni ekzagjeruar me qëllim që të mbështesnit kërkesën tuaj që të pranoheshit si viktimë në këtë proces gjyqësor?
Dëshmitari: Po, e pranoj.
Fillimisht, sipas përmbledhjes së lexuar për këtë dëshmitar në sallën e gjyqit, u tha se ai ishte arrestuar nga 8 apo 9 anëtarë të UÇK-së, që shumica prej tyre ishin me maska e që më pas e kishin vendosur me duar të lidhura pas shpine dhe me maskë në kokë.
Veç kësaj, Prokuroria kishte thënë se duke u bazuar në deklaratën e dëshmitarit, automjeti kishte marrë edhe një person tjetër të cilët më pas i dërguan dhe i mbajtën të ndaluar së bashku.
Sipas dëshmisë, dëshmitari ishte rrahur aq shumë sa nuk merrte dot frymë si dhe kishte humbur ndjenjat. Pas katër ditësh, ky dëshmitar ishte liruar nga rojet e burgut me uniforma të zeza ndërsa të arrestuarit e tjerë kishin mbetur të ndaluar në dhomë.
Ndërsa, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari ka thënë se nuk i ka parë personat që e kanë rrahur sepse ka pasur të vendosur maskë në kokë. Por, personat që e kanë rrahur, sipas dëshmitarit kanë qenë me uniforma të zeza.
“S’mundem me përshkru. Nuk e di, kam pasë maskë, dhe ma kanë humbë vetëdijen. Edhe kur jam çu kam pasë maskën prapë në kokë. Ma kanë hjekë maskën s’e di kush më kanë rrahë. Me uniforma të zeza kanë qenë”, ka thënë ai.
Ky dëshmitar madje e përshkruan rrahjen që iu është bërë, duke thënë se nuk e di se në cilën pjesë të trupit më shumë është goditur.
“Po me grushta, me shkelma, po më bijshin në të tëra anët, ku mujshin, krejt, në të gjitha anët, ku të mujshin. Nuk e di. Më kanë rrahë, ma kanë humbë vetëdijen, nuk e di në cilën pjesë të trupit më kanë rrahë. Më kanë rrahë në kokë, a më kanë rrahë në trup. Sipas gjasave më kanë rrahë edhe në trup edhe në kokë. Por nuk e di, s’ma kanë hjekë, kam pasë maskën, s’di. Më ka hupë vetëdija”, ka thënë dëshmitari.
Për një të ndaluar tjetër emri i të cilit është i redaktuar, dëshmitari ka thënë se kanë qenë së bashku në një dhomë por arsyen e ndalimit të tij nuk e di.
Në një intervistë, dëshmitari kishte deklaruar se e kishte humbur dëgjimin si pasojë e asaj që i kishte ndodhur.
“Sipas gjasave, po, lidhet me atë. Sipas gjasave. Përpara kam dëgju mirë”, ka thënë dëshmitari.
Veç kësaj, dëshmitari kishte thënë se është ndjerë ndryshe emocionalisht dhe fizikisht pas asaj se çka i ka ndodhur.
“Jam ndjerë ndryshe, jo si përpara se të ndalohem, ndryshe jam ndjerë, me dhimbje të shpinës, me dhimbje të trupit. Si jam ndjerë, mirë, psiqikisht kështu jam kanë i ngarkum, me pozitën në të cilën ma kanë ba. Kishte, kishte harresa, kishte qysh me thanë, kishte dhimbje të trupit, kokës. Edhe kishte presion prej vetvetes, kështu që çka më kanë ba”, ka thënë dëshmitari.
Për rrjedhojë, dëshmitari kishte thënë se i vinte edhe turp prej asaj se çfarë i kishte ndodhur por që kishte refuzuar që të përgjigjet në pyetje më të detajuara.
Personat që e ndaluan, sipas dëshmitarit, kishin maska përveç dy prej tyre që kishin fytyrën e ngjyrosur e që nuk arriti t’i identifikonte.
Dëshmitari ishte pyetur nga mbrojtja se a ishte viktimë në këtë proces gjyqësor dhe ai ishte përgjigjur “me siguri viktimë jam”, por që mohoi se ka plotësuar ndonjë kërkesë për pjesëmarrje dhe se nuk e di nëse dikush e ka bërë në emër të tij. Por më pas ishte prezantuar kërkesa për këtë proces për të cilën tha dëshmitari që e ka plotësuar vetë.
Ky dëshmitar ka pasur mospërputhje të deklaratave sa i përket kohës së rrahjeve dhe mënyrës si është rrahur. Për ZPS-në kishte thënë se nuk është rrahur me “stupc” druri, ndërsa në kërkesën për pjesëmarrje si viktimë në proces, ai kishte deklaruar të kundërtën.
Si rrjedhojë, dëshmitari u arsyetua duke thënë se nuk i kujtohet se si është rrahur.
Geoffrey Roberts i cili përfaqëson Rexhep Selimin i kishte thënë dëshmitarit se e ka ndryshuar dëshminë, duke thënë se ështëgoditur edhe në kokë për të mbështetur pretendimin se i ka humbur vetëdija.
“Unë mendoj se e kam hupë vetëdijen edhe se më kanë ra në kokë. Se vetëdija nuk hup veç në trup me të ra. Por mendimi jem është”, ka thënë dëshmitari.
Ky dëshmitar kishte pohuar se e ka ekzagjeruar dëshminë e tij për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces.
Geoffrey Roberts: Po, sepse kërkesën për krimet në aktakuzë mund ta bëje vetëm në fund të vitit 2020 pasi u konfirmua dhe aktakuza. Që të jemi të qartë për këtë pikë, unë po ju them se e keni ekzagjeruar dëshminë tuaj edhe tek formulari për t’u pranuar edhe sot. Dhe këtë e keni bërë që të mbështesnit kërkesën tuaj për t’u pranuar si viktimë, dhe prandaj e keni zgjatur edhe kohën që ju kanë rrahur, dhe tani pretendoni që ju kanë rrahur dhe me shkop druri, por më përpara e ke mohuar këtë gjë, dhe tani thoni që ju kanë rrahur dhe në kokë. Diçka që në të shkuarën keni thënë që nuk ka ndodhur. A e pranoni këtë që po them unë?
Dëshmitari: Me siguri viktimë jam.
Goeffrey Roberts: Pra, a e pranoni, që keni ndryshuar dëshminë dhe e keni ekzagjeruar me qëllim që të mbështesnit kërkesën tuaj që të pranoheshit si viktimë në këtë proces gjyqësor?
Dëshmitari: Po, e pranoj.
Duke folur për bashkë të ndaluarin, dëshmitari tha se nuk e ka pa që është keqtrajtuar ai person dhe as ndonjë shenjë të keqtrajtimit.
“S’e kam pa, jo. S’kam pa kurrgjë”, ka thënë dëshmitari.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.
DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Periskopi/



