Një Kosovë sy e vesh kah Kushtetuesja, këta të fundit tregojnë për Periskopin se kur del aktgjykimi

Një Kosovë sy e vesh kah Kushtetuesja, këta të fundit tregojnë për Periskopin se kur del aktgjykimi

Javë më parë Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të parakohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kjo masë u vendos pasi nëntë deputetë të Listës Serbe iu drejtuan Kushtetueses lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës, shkruan Periskopi.

Anipse kanë mbetur edhe 7 ditë nga përfundimi i afatit, Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Periskopin ka thënë se janë në shqyrtim të lëndës për procedurën e votimit të nënkryetarit nga Lista Serbe.

“Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për Periskopin.

Vetëvendosje: Kushtetuesja mbajti anë

Si në shumicën e rastëve edhe këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje , e kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e vlerësuar si të “njëanshëm”.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Sipas Vetëvendosjes Kuvendi i Kosovës “është konstituuar”, anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga Lista Serbe. Por, ky qëndrim i VV u kundërshtua edhe nga partitë politike si dhe ekspertë ligjorë.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përmbyllur pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

“Rrjedhimisht, nuk mund të ketë materializim të asgjëje – as zhvillim të procedurave apo ushtrim të funksioneve parlamentare, e as rrjedhje të afateve kushtetuese”, kishte thënë Cakolli.

Sipas tij, kjo situatë mund të zgjidhet “vetëm nga Gjykata – qoftë me konstatim të dështimit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor, ose me shpallje të pavlefshme dhe përsëritje të procedurës së votimit për nënkryetarët e komuniteteve”.

Partia e dytë më e madhe në Kuvend pas LVV-së, Partia Demokratike e Kosovës, tha se kryetari Basha e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Kosovës pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese”, tha PDK në një komunikatë në Facebook.

Ajo tha se në këto rrethana, konsideron “të pakuptimtë” ftesën për takim të kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe se nuk merr pjesë në takime “të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e tretë më e madhe në Kuvend, gjithashtu erdhi në përfundim se Kuvendi ende nuk është konstituuar.

“Kushtetuta e Republikës, Rregullorja e Kuvendit dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese janë të qarta dhe pa ekuivok sa i përket procedurave dhe kushteve të konstituimit të tij. Çdo tentim për të interpretuar ndryshe apo për të anashkaluar këto dispozita themelore përbën shkelje të rendit kushtetues dhe cenim të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet shteti ynë”, thuhet në një reagim të LDK-së në Facebook.

Ajo tha se Kuvendi nuk mund të funksionojë dhe të marrë vendime pa përmbushur më parë procesin e konstituimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret./PERISKOPI

 

 

Shpërndaje në: