Një kuvend që nuk është as mbikqyrës i mirë e as kontrollues parlamentar
Që nga kjo kohë Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupcionit nuk ka arritë t’ia sjellë kuvendit për votim një dokument të ri apo edhe të amendamentuar, krejt kjo për arsye të mos vullnetit të shumicës parlamentare. Në vijim do t’i paraqes disa nga çështjet problematike të kësaj rregullore ku roli opozitar është i minuar për shkak të kufizimeve që kjo rregullore e bën.
Ajo çka e ka karakterizuar kuvendin gjatë këtyre legjislaturave të deri tanishme është pamundësia e çdo grupi parlamentar opozitar për t’i kaluar çështjet të cilat i ka ngritur. Interpelanca si instrument i rëndësishëm i kontrollit parlamentar është e qartë në rregullore por ajo është e dobët në zbatim. Përderisa punimet për një interpelancë nuk mund të zgjasin deri në tre orë, formula që përdoret për minutazhën është e rregulluar në atë mënyrë të pa favorshme për thirrësin dhe atë kështu: 180 min pjesëtuar për 120 deputetë = 1.5 min për secilin deputet. Dhe kjo pastaj përkthehet në sa deputetë i ka një grup parlamentar. Ndërsa mocionin për interpelancë mund ta ngritin 6 deputetë më së paku, dhe nëse kjo përkthehet në minuta i bie që për fjalë të kenë vetëm 9 minuta për një çështje qduke ia shtuar 10 minutëshin në fillim dhe 5 minutëshin në fund. Kjo procedurë do të mund të rregullohej në kuptimin që thirrësi dhe ai që thirret (ministri apo kryeministri) të jenë njerëzit kryesorë në interpelancë.
Në procedurën parlamentare është e saktësuar edhe çështja e ngritjes së komisionit hetimor. Inicimin mund ta bëjnë 6 deputetë si propozim kuvendit por komisioni mund të ngritet edhe me nënshkrimin e 40 deputetëve ku pastaj kjo çështje bëhet e detyrueshme për kuvendin. Por iniciativat me rastin e themelimit nga 40 deputetë dështojnë kur kryesia kërkon nga grupet parlamentare të nominojnë përfaqësuesit e tyre e kur grupet parlamentare nuk i dërgojnë kjo çështje ngec. Legjislativi ka dështuar qe sa kohë ta vendos këtë çështjë njëherë dhe mirë. Ky aspekt procedural shihet edhe me rastin e formimit të Komisionit Hetimor për funksionimin e Radio Televizionit të Kosovës ku grupet parlamentare të shumicës nuk i dërgojnë emrat e tyre që komisioni ta bëjë punën e vet. Një çështje tjetër po ashtu mbetet e pa amendamentuar, kur komisioni hetimor nxjerr raportin përfundimtar, që ky raport t’i dërgohet prokurorisë ex officio. Disa nga parlamentet e vendeve në rajon e kanë të rregulluar edhe me Ligjin për Hetim Parlamentar.
Një çështje tjetër thelbësore për procedurën parlamentare mbetet tërheqja e nënshkrimeve të deputetëve kur ato tashmë janë vendosur për të proceduar me një mocion përmbajtësor. Rasti i fundit ishte me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme ku kërkohen 1/3 e deputetëve nënshkrues ashtu siç është e përcaktuar me Nenin 38 paR. 1c të Rregullores së Kuvendit. Inicuesi në këtë rast, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! kishte arritur të siguronte nënshkrimet e nevojshme por në momentin e procedimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, njëri nga deputetët kishte tërhequr nënshkrimin çka kishte bërë që kërkesa të dështonte sipas përfundimit të Kryesisë.
Në rastin KI 47/10 Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë ë Kuvendit vs Fatmi Sejdiu, Gjykata Kushtetuese nga paragrafi 38-47 e shtjellon çështjen e dhënies dhe tërheqjes së nënshkrimeve. Gjykata nënvizoi se deputetët të cilën nënshkruajnë një kërkesë fillestare janë në dijeni, veprojnë në një bashkësi kolektive, e cila bëhet e plotë në momentin kur kjo dorëzohet në Gjykatë (pra merr një numër protokoli). Gjykata më tej vazhdon se nënshkrimet nuk mund të tërhiqen për dëshira individuale të ndonjëri apo të disa nga të nënshkruarit, dhe se tërheqja e tyre nuk do të ketë ndonjë efekt juridik mbi ligjshmërinë e kërkesës së parashtruar. Kuvendi ka dështuar ta rregulloj edhe këtë çështje, duke e lënë këtë çështje në vullnetin e shumicës e cila është në koalicion dhe jo duke vendosur sipas meritës.
Legjislativi ka dështuar edhe në raport me qeverinë kur kryeministri me ministrat nuk i përgjigjen thirrjeve për raportim pranë komisioneve parlamentare dhe pyetjeve parlamentare. Po ashtu ky legjislativ ka dështuar edhe në çështjen e hartimit të parimeve që rregullojnë trajtimin e peticioneve që adresohen nga qytetarët. Ka kohë që tentohet të vendoset Propozim-udhëzuesi për shqyrtimin e peticioneve. Shumë herë Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i ka ndryshuar kërkesat bazë të peticionit duke mos u mbështetë në asnjë dispozitë, por në dëshira politike të mazhorancës.
Autori është Koordinator i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendi i Republikës së Kosovës



