Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e dy personave afër Gjykatës në Pejë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e dy personave afër Gjykatës në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Mahmut Hoxhajt, i dyshuar për plagosjen e dy personave të premten pas shpalljes së një aktgjykimi në Gjykatën Themelore të Pejës.

Vendimi është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, e cila seancë u mbajt në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit të siguruar, do të jetë në fuqi deri më 15 nëntor 2025.

“Betimi për Drejtësi” të shtunën raportoi lidhur me kërkesën e parashtruar nga prokurori Ersan Qavolli, me të cilën është kërkuar caktimi i paraburgimit ndaj Hoxhajt, i cili ndodhet në mbajtje që nga pasditja e 17 tetorit 2025, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar momentin kur Hoxhaj kishte shtënë në drejtim të dy tani të plagosurve, ku shihet se me vete kishte pasur dy kallashnikovë.

Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari kishte qenë palë në një proces gjyqësor që kishte përfunduar pak minuta më herët me lirimin e palës tjetër. Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Hoxhaj dyshohet se ka dalë në parkingun prapa gjykatës, ku ka pritur viktimat dhe ka shtënë në drejtim të tyre me dy armë automatike të tipit AK-47./Periskopi/

Shpërndaje në: