Një problem i madh në “Camp Noun” e ri, ankohen tifozët
Pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, për të promovuar “Camp Noun” e ri, realiteti po zbulon një sërë problemesh serioze që rrezikojnë reputacionin e projektit më të madh në historinë e klubit.
Pas krizës së mëhershme lidhur me instalimin e çatisë, një problem edhe më i rëndë ka dalë në pah: dukshmëria nga tribunat.
Sipas gazetës katalanase “Ara”, rreshtat e parë të stadiumit kanë një defekt strukturor që e bën pothuajse të pamundur shikimin e fushës.
Tifozët që kanë paguar shuma të mëdha për vende premium përballen me një situatë absurde – ata shohin vetëm tabelat reklamuese rreth fushës. Ekspertët e kanë cilësuar këtë si një “dështim të madh” në projektim dhe zbatim.
Inxhinierët e konsultuar theksojnë se zgjidhja e vetme është ulja e fushës me rreth një metër nën nivelin aktual.
Megjithatë, kjo ndërhyrje është shumë e kushtueshme dhe do të vononte edhe më tej përfundimin e projektit, i cili tashmë është nën presion të madh kohor.
Për më tepër, kjo zgjidhje sjell komplikime të reja teknike.
Sistemi i drenazhimit do të duhet të ridizajnohet, pasi pikat e kullimit do të vendosen më poshtë se niveli aktual i fushës, çka mund të kërkojë ndryshime të mëdha infrastrukturore.
Raporti sugjeron se përgjegjësia nuk bie mbi kompaninë ndërtuese, por mbi vetë drejtuesit e klubit, të cilët kanë ndryshuar detaje të projektit origjinal pa analizë të mjaftueshme.
Problemet me dukshmërinë në “Camp Nou” nuk janë të reja – ato datojnë që nga viti 1994.
Projekti i mëparshëm i hartuar gjatë kohës së Josep Maria Bartomeu synonte ta zgjidhte këtë çështje, por me rikthimin e Joan Laporta në krye të klubit, dizajni u ndryshua dhe zgjidhja u hoq, duke e përkeqësuar situatën.
Një nga arkitektët e përfshirë e përshkroi situatën si goditje serioze për besueshmërinë e projektit: investimi prej rreth 1.5 miliardë eurosh dhe një gabim i tillë madhor vënë në pikëpyetje gjithë vizionin e stadiumit.
Brenda klubit, drejtuesit janë të vetëdijshëm për përmasat e problemit, por po përpiqen ta minimizojnë atë publikisht për të shmangur përgjegjësinë.
Megjithatë, pakënaqësia e tifozëve po rritet, sidomos mes abonentëve që ndihen të mashtruar nga premtimet për një stadium modern.
Ndërsa Joan Laporta vazhdon ta prezantojë projektin si një arritje madhore, realiteti tregon një sfidë të madhe mes ambicies dhe problemeve konkrete – një projekt që rrezikon të kthehet nga krenari në barrë për historinë e Barcelona./GazetaExpress/



