Një superyll i United kalon në Arsenal në këmbim me Alexis Sanchez
Mediat britaneze bëjnë të ditur se tashmë transferimi i kilianit Alexis Sanchez në Manchester United është pothuaj i sigurtë. Madje, bëhet me dije se Sanchez do ta bartë numrin 7 në shpinë – transmeton Periskopi.
29 vjeçari është në vitin e tij të fundit të kontratës me Arsenalin dhe ka qenë lojtari kryesor i tyre që prej ardhjes së tij në vitin 2014.
Por, duket se as skuadra londineze nuk do të shpëtojë pa asgjë nga ky transferim. United thuhet se e ka ofruar futbollistin armen Henrik Mkhitaryan në vend të parave, si këmbim për shërbimet e Alexis. Mkhitaryan nuk ka arritur që të zë vend në formacionin bazë të skuadrës së Mourinhos, dhe duket se largimi i tij drejt Londrës është çështje ditësh, në mos orësh.
Nuk ka dyshim se humbja e Alexisit në këmbim të një futbollisti nga banka rezervë është një katastrofë për skuadrën e Wenger që ka rënë shumë në rënditjen tabelare duke u shkëputur nga pesë ekipet e para. Megjithë rezultatet zhgënjyese, Arsenali po vazhdon që t’i shesë lojtarët më të mirë, në momentet e tyre më të mira. Një gjë e tillë kishte ndodhur me Patrick Vieira së pari, pastaj me Thierry Henry, Aleksandër Hleb, Alex Song, Çesk Fabregas, Samir Nasri, Bakary Sagna, Gaël Clichy, Emmanuel Adebayor, Robin Van Persie, Alex Oxlade Chamberlain e të tjerë.
Shumë prej këtyre lojtarëve, Arsenali i kishte humbur te rivalët direkt në Premier Ligë: United, City, Chelsea dhe Liverpool.



