Një votë, një 100-she: Joshja e Kurtit për studentët para balotazhit
100 euro, një votë. Kaq e vendosi çmimin e votës kryeministri në detyrë Albin Kurti për studentët e Kosovës, shkruan Periskopi.
Me 7 tetor, pesë ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale, Qeveria Kurti në detyrë mori vendim për ndarjen e nga 100 euro për studentët.
6 milionë euro është shuma e planifikuar për ndarjen e nga 100 eurove për student. Kjo hyn në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.
Pazarin me blerjen e votave, Kurti e vazhdojë edhe në raundin e dytë të balotazhit, ku garën më të fortë e ka në Prishtinë e Mitrovicë të Jugut.
Sot, tre ditë para balotazhit, Kurti ua debitoi në xhillollogari nga 100 euro studentave.
“Të dashur studentë,
Më lejoni të ju uroj vitin e ri akademik me lajmin e mirë se ju jeni kualifikuar si përfitues të shtesës së njëhershme prej 100 EUR. Me qeverinë tonë, studentet gjithmonë do të kenë mbështetjen e shtetit”, thuhet në mesazhin që sot pranuan studentat.
Pas kësaj pati reagime të shumta nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të partive politike.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, e ka quajtur manipulim e panik ndarjen e shtesave prej 100 euro për secilin student të Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë në detyrë.
“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërsa Besian Mustafa i LDK-së tha se pushteti është në panik dhe 3 ditë para zgjedhjeve “po shpresojnë me i mashtru studentët”.
“Panik miq, pushteti full panik! 3 ditë para balotazhit po shpresojnë me mashtru’ ndonjë student. Dështim total.
Dobët Albin, shumë dobët”, shkroi Mustafa
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka akuzuar ekzekutivin për abuzim me fondet publike në prag të zgjedhjeve.
“Abuzimi dhe keqshfrytëzimi i taksave publike dhe postës zyrtare të Zyrës së Kryeministrit për dërgimin e mesazheve të tilla vetëm tre ditë para ditës së zgjedhjeve, është i ndaluar kategorikisht sipas standardeve demokratike vendore dhe ndërkombëtare për integritet elektoral,” ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij, “kjo ndërhyrje cenon drejtpërdrejt integritetin zgjedhor dhe parimin e barazisë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk mund të jenë të lira e të ndershme, nëse shteti përdoret si instrument elektoral.”



