Njerëzit e Bllacës dhe njerëzit e Gazës

Njerëzit e Bllacës dhe njerëzit e Gazës

Ishte Lajm i Mirë kur Qeveria e Izraelit njohu Pamvarësinë e Republikës së Kosovës. Nji lidhje humane mes shqiptarëve dhe hebrejve të ndjekun prej fashistave gjermanë gjatë L2B, për me i mbrojtë e me i ndihmue hebrejtë e ndjekun dje, u kunorëzue me nji njohje dhe respekt reciprok sot.

Shkruan: Migjen Kelmendi

Por, qysh mundet nji humanist me pasë respekt, me heshtë e mos me reague ndaj krejt asaj që ushtria izraelite po ban ndaj palestinezëve n’Gaza? Heshtjes së sotme ndaj atrociteve dhe shkatërrimeve që Qeveria izraelite po i ban n’Gaza ndaj popullit palestinez, të ban me reflektue dhe me marr qëndrim, sepse Heshtja asht – miratim.

Isha njani prej 1 milion shqiptarëve që Krimineli Milošević me bandat e tij i përzuni me dhunë prej Kosove. Isha njani prej atyne Njerëzve të Bllaces, siç i kisha quejt nëpër shkrimet e mija të asaj kohe, shqiptarët e dëbuem me dhunë prej Kosove, që e kupton deri në thelb fatin e Njerëzve të Gazës. Edhe në Bllace, edhe në Gaza, na njerëzit e deportuem nëpër llogore, ma s’pari ishim njerëz e mandej shqiptarë e palestinezë.

PSE PO HESHTIN NJERËZIT E BLLACES PËR FATIN E NJERËZVE TË GAZËS?!

U gëzova kur e pashë rininë e Prishtinës që e kishin organizue nji protestë për 1 Majin, dhe bashkë me flamujt e punëtorëve i valojshin edhe flamujt e Palestinës. Diqysh si kamuflue.

Ku mbeti humanizmi jonë, Besa jonë, reagimi jonë?!!!

Shpërndaje në: