Njihuni me Berishtë e tri përfaqësueseve
Valon Berisha nuk e dinte nëse do të luante në ndeshjen e parë zyrtare për Kosovën në kualifikimet për kampionatin botëror “Rusia 2018”.
Rreth pesë orë para se ndeshja e parë të zhvillohej ndërmjet Kosovës dhe Finlandës (1:1) në Turku, Berishës i erdhi përgjigjja pozitive nga FIFA se mund të luajë, shkruan sot “Koha Ditore”.
E, Berisha ishte edhe i fundit prej gjashtë lojtarëve që ishin në pritje të përgjigjes pozitive nga FIFA në ditën kur edhe u zhvillua ndeshja. Dhe, për fatin e tij, Berisha ishte shënuesi i parë i Kosovës në epokën e re të futbollit kosovar. Ai shënoi nga penalltia për ta barazuar rezultatin 1:1, rezultat ky që ishte edhe final i takimit.
Ish-reprezentuesi i Norvegjisë nuk ishte i vetmi me mbiemrin Berisha që u paraqit në eliminatore. Edhe vëllai i tij i vogël, Vetoni, u paraqit te Norvegjia, që humbi me rezultatin 3:0 nga Gjermania. Pos dy vëllezërve Berisha që luajnë në përfaqësuese të ndryshme, është edhe ai i Shqipërisë, Etrit Berisha.



