O SA KEQ ME QENË SHQIPTAR

O SA KEQ ME QENË SHQIPTAR

Kur Milot Rashica e braktisi Shqipninë për Kosovën, opinionisti Andi Bushati e quejti tradhëtar të mërzitun. Ky ishte nji mendim skajshëm i varfun por që mblodhi shumë pëlqime në rrjetet sociale, nga kosovarët. Ishte mendim kosovarçe.

Si tradhëtar, Rashicën e shohin edhe përplot kosovarë që çirren ku t’ju jepet rasti, “O sa mirë me qenë shqipëtar” dhe pastaj vazhdojnë me kcy e me dëfry me “o hej, o hej”.

Kjo brohoritje e tifozëve “Kuq e Zi” asht domethanëse. Ajo e shprehë gjithë abstrakcionin që lidhet me identitetin kombëtar. Me dashninë për nji kombësi, nalt mbi re, të palidhun me ndonji zhvillim konkret. Të lidhun veç me ngjyra, simbolikë, histori. Por jo me të tashmen dhe të ardhmen. Jo me fëlliqësinë e qyteteve, shëmtinë e arkitekturës, poshtërsinë e politikës, pasivitetin qytetar. “O sa mirë” s’nënkupton krenarinë për ndonji arritje dikund në vendet tona por nji krenari të papërcaktueme e të pakjartë për gjakun, origjinën, historinë. Por jo vetëm. Kjo asht shprehje e dashnisë edhe për dembelinë, papërgjegjësinë e idiotësinë. Rimendojeni sesi thuhet: “O sa mirë… o hej, o hej” Domethanë, përvijohet njifarë përcaktimi eleatik, natyror që çliron nga përcaktimi i matejmë kolektiv.

Kjo shprehje ka tjetër kuptim për nji shqiptar të Shqipnisë. Ai e kupton kombësinë shumë ma konkretisht, me ngjyra, të mishnueme. Ai e ka shqiptarin para syve ashtu sikurse Shqipninë – bukuritë natyrore dhe shëmtitë njerëzore. Nuk mun me e shkëputë nga përfytyrimi i tij për identitetin e vet kombëtar, zhvillimin ekonomik, politik e kulturor. Pjesë e kombit shqiptar në konceptimin e tij asht edhe ajo që ndodhi në vitin 1997, korrupcioni, mafia e dytë ma e fortë në Evropë, krizat e kohëpaskohëshme politike e shumë të tjera. Por kosovari nuk e ka atë brengë: ai asht i çliruem nga veprimet e tij, ato nuk e përcaktojnë. Ai nuk ndihet përgjegjës nëse mbetë budallë, nëse vazhdon me i tëkeqë Universitetet e shkollat, nëse vazhdon me i votu udhëheqësit e këqij, nëse shndërrohet në fashist e vrasës. Nuk ndihet, sepse ai asht shqiptar dhe ky asht përcaktimi i tij thelbësor. Ky asht kuptimi i shfryrjes “O sa mirë…” i cili lidhet jo vetëm me krenarinë por edhe me kënaqësinë dehëse të papërgjegjësisë.

Në ndjesinë shqiptare te kosovarët ndryhen papërgjegjësi, përfytyrime dhe komplekse. Përdoret nji koncept i humbur tashmë në historinë e ideve. Një koncept i moçëm, moti i dalë nga përdorimi. Elementi bazë i këtij koncepti asht sundimi dhe jo etatizmi, pushtimi e jo qeverisja. Kritiku i njohur i historisë së ideve, Mishell Fuko (Foucault) e vëren zhdukjen e këtij koncepti për kombin që në shekullin e XIX. “Ajo që do të përbëj thelbin e funkcionit dhe rolit historik të kombit, nuk do të jetë ushtrimi i një raporti të sundimit mbi një komb tjetër; do të jetë diçka tjetër: do të jetë administrimi i vetes, menaxhimi, të qeverisurit, sigurimi i vetes, ndërtimi dhe funkcionimi i figurës dhe pushtetit shtetëror. Jo sundimi por etatizmi.”

Përtej papërgjegjësisë, thamë se te ndjesia për kombin e kosovarit ka edhe përfytyrime. Përfytyrimi bazik asht ai i Shqipnisë së madhe, etnike. Një brohorimë tjetër e tifozëve “kuq e zi” asht “Shqipnia etnike”. Pra, shihni sesi ravijëzohet raporti i madhësisë ndaj kombeve tjera: përfytyrimi për madhësinë e kombit, asht krejtësisht gjeografik, territorial. Nuk përfytyrohet nji shtet i së drejtës, përparimtar, që e qeverisë mirë veten – por nji shtet që duket pak ma i madh kur krahasohet me të tjerët. Ky kompleks vogëlsie prolongohet ose zgjatohet përmes nji diskursi humanist ku zhvleftësohet koncepti i forcës dhe çmoralizohet pushtimi: ne marrim vesh se ishim gjithnji të pushtuem nga barbarët, se ishim të robnuem, se ishim viktima. Kjo asht rrjedhojë e ligjërimit të sundimit, me nji fjalë, justifikim i mungesës së forcës, përgjigjje në pyetjen që pavetdijshëm shtrohet: “pse ne nuk pushtuem?”

Kësisoj “O sa mirë me qenë shqiptar” dredhohet edhe si nji reaksion ndaj kompleksit të inferioritetit.

Dhe të gjitha këto ndjesi e përfytyrime përmbahen në nji ide të zhdukun ma shumë se 150 vjet ma herët. Nuk asht e kaluemja ajo kah e cila kthehet kryet kur diskutohet për kombin, por e tashmja, e cila asht tepër e dendun me zhvillime të cilat nuk ka gjasë me u mohu.

Ka mbaru periudha kur veçanti thelbësore për definimin e kombit konsiderohej etnosi; do ngurtësime kulturore si fjalët e përbashkëta (me thanë gjuha, nuk mujmë për shkak se te gjuha përfshihen edhe fjalëformimet e ndryshme, shprehjet e ndryshme, idetë e ndryshme) reliktet kulturore, vallet, kangët, apo diçka kësisoj.

Kombi asht i zhytun në të tashmen, në përcaktim të vazhdueshëm. Ai nuk asht diçka e fiksueme njiherë e mirë, por diçka e lirë dhe në bamje. Ma me randësi se futbolli janë diskurset që i prodhojmë. Shkollat. Administrata. Qeverisja. Protestat.

Fatkeqësisht as Kosova e as Shqipnia nuk janë ende kombe. Që dikush me u quejt komb, vërente Emmanuel J. Sieyes, duhet me e pasë bile edhe bujqësinë funksionale, pa bujqësi s’ka komb. E për çfarë kombi po flasim kur njerëzit ikin nga Kosova e nga Shqipnia? Në përditshmëri njerëzit nuk ndihen krenar me shqiptarin a kosovarin, me vendet e tyne, me veten e tyne. Për çfarë kombi po flasim kur njerëzit korruptohen në përmasa të frikshme? Për çfarë kombi po flasim kur s’e definojmë s’pari konceptin e kombit? Jo, ne s’po flasim për komb. Derisa nuk bahemi shoqni e përgjegjshme, që lypë përgjegjësi, shkolla t’mira, administratë profesionale (pa tezet, hallat e kusherinjtë e shefave), qeverisje t’mirë, gjykata t’drejta – nuk jemi komb. Ne nuk jemi as nji e as dy – ne jemi, për momentin, asnji. Ne nuk duhet me jetu ma, për shikimin e tjetrit – por për hirë të vetvetes. Nuk duhet me u çu peshë prej injorancës por me i shtru kërkesa të mëdha vetvetes.

Shpërndaje në: