Oda Ekonomike Shqiptare e quan joproporcionale kërkesën për dënime në Hagë
Oda Ekonomike Shqiptare ka shprehur shqetësimin e thelle ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burg secili, në total 180 vjet burgim.
Sipas kësaj ode, kjo kërkesë është joproporcionale dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar barazimin e një lufte çlirimtare me agresionin shtetëror të Serbisë.
“UÇK-ja ishte përgjigje ndaj shtypjes dhe krimeve sistematike mbi popullin shqiptar dhe përbën themelin e lirisë së Kosovës”, thuhet në reagim, shkruan KP.
OESh vlerëson po ashtu se goditja e figurave kryesore të luftës çlirimtare dëmton besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe cenon stabilitetin politik e institucional te vendit.
Oda bën thirrje për një proces te drejtë, te paanshëm dhe të bazuar në fakte, në respekt te së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës çlirimtare.
Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, dje ka kërkuar nga 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Ajo ka pretenduar se të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.



