Okan Buruk paralajmëron skuadrën e tij: Nuk kemi mbaruar ende punë, Juventusi është skuadër e shkëlqyer

Okan Buruk paralajmëron skuadrën e tij: Nuk kemi mbaruar ende punë, Juventusi është skuadër e shkëlqyer

Në prag të ndeshjes së kthimit të play-off-it të Liga e Kampionëve mes Juventus dhe Galatasaray, trajneri turk Okan Buruk ka theksuar se fitorja 5–2 në përballjen e parë nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi te skuadra e tij.

Trajneri i Galatasarayt ka paralajmëruar futbollistët e tij se nuk janë kualifikuar ende përkundër fitores së thellë në ndeshjen e parë.

“Në ndeshjen e parë arritëm një rezultat të shkëlqyer, por ende nuk kemi mbaruar punë. Ndjejmë të njëjtin entuziazëm si në takimin e parë dhe duhet të dalim në fushë me dëshirën për të fituar. Juventusi është një ekip i rëndësishëm që do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të vet. Nuk mund të mendojmë se jemi tashmë në raundin e 16-tave”, deklaroi Buruk.

Ai shtoi se skuadra e tij nuk duhet të ndryshojë shumë nga paraqitja e parë, por të ruajë përqendrimin maksimal, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

“Nuk kemi nevojë të bëjmë shumë gjëra ndryshe. Na duhet entuziazëm, përkushtim dhe disiplinë. Duhet të imponojmë lojën tonë dhe të tregojmë frymën e ekipit”.

Buruk nuk e nënvlerësoi kundërshtarin, duke vlerësuar cilësitë e “Bianconerëve” dhe duke thënë se Zonja e Vjetër është një ekip i shkëlqyer.

“Juventusi është një ekip i shkëlqyer. Ata po kalojnë një moment të vështirë, por do të përpiqen në çdo mënyrë të dalin nga ajo periudhë negative. Ne jemi përgatitur taktikisht dhe në aspektin disiplinor. Po mendojmë vetëm për fitoren. Nëse mbështetesh shumë te rezultati i ndeshjes së parë, ndeshja e dytë bëhet më e vështirë”.

Në fund, trajneri turk theksoi rëndësinë e përvojës së grumbulluar ndër vite.

“Nuk duhet të mendojmë vetëm për vitin e kaluar, por për gjithë përvojën që kemi fituar me kalimin e kohës. Arsyeja pse e kemi konsoliduar forcën tonë është rezultati i parë. Ai na jep besim dhe vetëbesim, por kualifikimi duhet vulosur në fushë.”

Fjalë të qarta që nënvizojnë respektin e Galatasarayt për Juventusin, por edhe faktin se në Ligën e Kampionëve asnjë kualifikim nuk merret si i mirëqenë deri në vërshëllimën e fundit./Periskopi

Shpërndaje në: