Orgazëm veshi, deklarata 18-sekondëshe e Rinës është moment shprese e ringjallje për estradën e ‘kotë’

Orgazëm veshi, deklarata 18-sekondëshe e Rinës është moment shprese e ringjallje për estradën e ‘kotë’

Më në fund diçka me të cilën mund të mburremi e mbi të cilën mund të mbahemi sikur jeta jonë varet në të…

Në mesin e degradimeve me konsistencë të pabesueshme, duket se sistemi depresiv artistik ka ndikuar të reflektojë te dikush dhe ta kuptojë njëmend çfarë peshe dhe impakti ka në shoqëri, shkruan Periskopi.

Përgjegjësia duhet të mbajë absolutisht secili artist për materialet që i hedh. Pavarësisht se arti i keq nuk dënohet me ligj, thjesht nuk duhet të ketë ndjenjë më të keqe se kur shikohesh në pasqyrë dhe e kupton se keni bërë muzikë bërllok gjatë tërë jetës dhe ai ka qenë kontributi yt i vetëm për planetin.

Rina, duket se ka reflektuar dhe ka marrë rrugën e duhur. Në fakt, nuk duhet ta dëgjoni fare deklaratën e saj të fundit për ta kuptuar se ajo ka vendosur t’i japë fund degradimit dhe t’i jap krahë anës ekspresive.

Që prej lidhjes me SinBoy, karriera e saj ka marrë kahje tjetër… më e fokusuar në anën artistike dhe emocionale në projekte, duke ngërthyer në to pjesë nga jeta e saj personale, me shpinë prapa asaj që shitet dhe shprehjes ‘kështu po lypet’.

Paraja<respekti, çdo ditë të vitit, 24/7… fundja, paraja është problem personal i secilit artist, nuk ka të bëjë me nivelin e respektit që ka ai/ajo në audiencë. Thjesht nuk na interesojnë gjendjet financiare të artistëve, as rrobat dizajnër, as veturat e shtrenjta… në fund të ditës, ne thjesht duam të dëgjojmë muzikë të mirë.

Por pikërisht këtu është zgjidhja, të cilën atyre (shumicës së estradës) thjesht nuk po ka mënyrë ortodokse për t’ua futur në kokë… muzika e mirë ndërton rrjet të jetëgjatësisë artistike, njëkohësisht duke shtuar të ardhurat materiale, por një pjesë e artistëve kosovarë qartazi nuk kurrfarë intuite të të menduarit përtej kutisë, teksa fokusohen në para të shpejta, të cilat ia sigurojnë rënien e shpejtë, e pastaj depresioni është i sigurtë pasi nuk ka gjë më të rëndë për ta se kur mbesin pa para dhe janë të famshëm.

Rina është fije drite në fund të vrimës. Mixtape i saj i fundit me SinBoy është frymëmarrje me ajër të pastër nga toksiciteti ndotës në mesin e artistëve dhe veprave të tyre.

Këngët si ‘Aquarius’ e ‘Meredith’ nuk janë për të vdekur nga ngazëllimi, por kanë impakt shumë më të madh se që vetë artistja mund ta mendojë.

Në fakt, ajo qartazi nuk e ka kuptuar as vetë ndikimin që mund të kenë pasur dhe beson se ende dëgjohet vetëm nga fëmijët 12 deri 21-vjeç, siç e potencon në emisionin ‘8à8’ me Adelina Ismajlin.

Sidoqoftë, ajo që thotë zonja pasi pyetet ”pse një vajzë e re në Kosovë zgjedhë tema të tilla serioze, dhe jo diçka komerciale”, është pikërisht ajo që duam të dëgjojmë dhe kemi pritur ta dëgjojmë tash e sa kohë.

Duke injoruar mënyrën e formulimit të pyetjes, e cila thjesht ekzekutohet në mënyrë banale, përgjigja e Rinës është për ngritje kapelash.

”Muj me bo edhe muzikë komerciale, pa problem. Që dhezë që muj me fitu shumë pare prej saj, domethënë që e shfrytëzoj një publik për me fitu pare prej asaj muzike të kotë që është.

”Mirëpo, për mu është e rëndësishme që njerëzit të shohin botën ashtu siç e shoh unë. Jo me u mashtru pas këtyre gjërave tjera që po dalin në TV çdo ditë.”

E drejtë të themi se 18 sekondat sa iu deshën Rinës për t’i thënë këto fjalë në intervistën e mëposhtme, janë gjëja më e mirë që kemi parë e kemi dëgjuar nga estrada gjatë tërë këtyre muajve të verës, pavarësisht se janë aq të thjeshta dhe të artikuluara me nonshalancë.

Rrallëherë dëgjojmë ndonjë artist në fakt duke dhënë ndonjë intervistë të sinqertë e edukative.

Pyetjet nga gazetarët zakonisht servohen në formën ‘alley-oop’, duke ia lëmuar krahët dhe duke pyetur atë që artisti dëshiron të dëgjojë, e jo shikuesit.

E rëndë edhe të thuhet, por një pjesë e madhe e gazetarëve dhe fytyrave të televizionit qartazi duken më shumë të interesuar të krijojnë lidhje miqësie me artistët për përmbushje personale, se sa të nxjerrin diçka përmbajtësore nga minutazhi sa e kalojnë duke e intervistuar atë.

Më poshtë, nga minuta 11:07, fjalë që duhet t’i cementojmë me beton në ndërtesën e industrisë së muzikës, e cila nuk ekziston por, nëse do të ekzistonte, do të duhej të vendoseshin me ndonjë platformë me shkronja të mëdha, për të shërbyer si manual fillestar për këdo që vendos t’i çaset muzikës. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: