Osmani: Jam marrë vesh me Veselin mos me u zgjedh ministër, kam përgjegjësi të tjera
Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka prezantuar sot ministrin e ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shalën. Para zgjedhjes së Shalës emri kryesor që u përmend se do ta zinte vendin e Besim Beqajt ishte ish- kandidati i PDK’së për kryetar dege në Podujevë , Fahri Osmani.
Osmani ka thënë se as që është në dijeni për emërimin e Shalës në këtë pozitë.
E për atë se pse ai nuk është zgjedhur Ministër, ka thënë se kështu është marrë vesh me shefin e tij, Kadri Veselin.
Arsye për këtë thotë të kenë qenë përgjegjësisë që i ka si Drejtor i Mensës së Studentëve.
“Nuk kam njohuri as që ka pas me u zgjedh Myzafer Shala në krye të Ministrisë. Por, une jam dakordu me kryetarin Veselin që mos me qenë Ministër. Nuk kam dashtë me marr përgjegjesi në këtë fazë sepse kam edhe përgjegjësi të tjera. Siç e dini jam edhe Drejtor i Menzës”, ka thënë Osmani.
U raportua se Osmani do të bëhet ministër, por që një gjë të tillë nuk e kanë lejuar strukturat e larta të PDK-së në Llap.
Osmani ka qenë edhe kandidat për kryetar të Degës së PDK’së në Podujevë, por që nuk ka marrë përkrahje për këtë pozitë. Në vend të tij është zgjedhur bashkëpartiaku i tij, Naim Fetahu.



