OVL-UÇK letër institucioneve e organizatave ndërkombëtarëve: Tërhiqni mbështetjen për publikimin “Masakrat në Kosovë”

OVL-UÇK letër institucioneve e organizatave ndërkombëtarëve: Tërhiqni mbështetjen për publikimin “Masakrat në Kosovë”

Pas protestës së djeshme para Kuvendit të Kosovës, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë ndërmarrë një tjetër hap lidhur me publikimin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka njoftuar se u është drejtuar me një letër publike disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur këtë publikim, duke kërkuar tërheqjen e emrave të tyre nga çdo referencë mbështetjeje.

Letra u është dërguar Community Development Fund (CDF) – Ambasada e Suedisë në Kosovë, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Institute of International Education (IIE), Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA) – Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Cultural Heritage without Borders (CHwB) dhe Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).

Sipas OVL UÇK-së, kërkesa vjen për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e publikimit të autorit Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimin e ekspozitës së tij publike në Prishtinë.

Në letrën drejtuar këtyre institucioneve, organizata thekson se publikimi paraqet mangësi në metodologjinë kërkimore, mungesë të analizës së strukturuar të burimeve dhe probleme në organizimin e të dhënave.

Po ashtu, sipas tyre, në disa raste përfshihen ngjarje të cilësuara si “masakra” edhe pse mungojnë burime të mjaftueshme, ndërsa njëkohësisht jepen të dhëna konkrete për to, çka, sipas OVL UÇK-së, krijon kontradikta dhe ngre dyshime mbi saktësinë e publikimit.

Organizata ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e klasifikimit të viktimave, duke e cilësuar atë si reduktuese, si dhe për mospërputhje në të dhënat numerike dhe përdorimin e materialeve vizuale që, sipas tyre, nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet e paraqitura.

Në letër theksohet se përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si mbështetëse e publikimit krijon lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e tij dhe ndikon në perceptimin publik, pavarësisht deklarimeve formale për distancim nga qëndrimet e autorit.

Për këtë arsye, OVL UÇK ka kërkuar që këto institucione të tërheqin emrat e tyre nga publikimi, duke theksuar se ruajtja e së vërtetës historike është përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm.

“Përmes kësaj letre është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij. OVL UÇK thekson se trajtimi i temave të ndjeshme historike kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde të mirëfillta profesionale”, thuhet më njoftim.

Letrën e plotë:

Për vëmendjen e drejtuesve të institucioneve mbështetëse,

Të nderuar,

Me shpresën se ky komunikim ju gjen mirë, në emër të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, po ju drejtohemi përmes kësaj letre publike në lidhje me mbështetjen që institucioni juaj i ka dhënë publikimit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të autorit z. Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimit që ka pasur ekspozita e tij publike në Prishtinë.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përmbajtjes, vlerësojmë se ky publikim paraqet një sërë problematikash serioze që cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tij.

Së pari, ndonëse publikimi paraqitet si studim, ai nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore; mungon analiza e strukturuar dhe kritike e burimeve, si dhe një organizim sistematik i të dhënave, duke e afruar më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim apo studim të mirëfilltë.

Së dyti, në disa raste përfshihen ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, edhe pse vetë publikimi e pranon mungesën e burimeve të mjaftueshme për to. Megjithatë, për këto raste paraqiten të dhëna konkrete si data, vendndodhje dhe numri i viktimave, duke krijuar një kontradiktë të drejtpërdrejtë dhe duke ngritur dyshime serioze mbi saktësinë dhe përgjegjësinë akademike të publikimit.

Së treti, mënyra e klasifikimit të viktimave përmes një ndarjeje të ngurtë ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve paraqet një qasje reduktuese, që nuk reflekton kompleksitetin e realitetit në terren dhe rrezikon të prodhojë interpretime të deformuara të ngjarjeve, e po ashtu përbën mungesë të ndjeshmërisë për viktimat.

Së katërti, janë evidentuar mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave në disa raste, si dhe përdorimi i materialeve vizuale që nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet që pretendohet të paraqiten, duke e dobësuar më tej kredibilitetin e publikimit.

Në këtë kontekst, vlerësojmë se përfshirja e institucionit tuaj në seksionin e mbështetjes së këtij publikimi nuk është neutrale. Pavarësisht deklarimit formal se pikëpamjet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e donatorëve, vetë fakti i mbështetjes financiare dhe identifikimit publik krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij.

Një distancim i tillë formal nuk është i mjaftueshëm për të neutralizuar perceptimin publik, as ndikimin që kjo lidhje prodhon në interpretimin dhe pranimin e përmbajtjes.

Duke marrë parasysh arsyet e sipërpërmendura, konsiderojmë se mbajtja e emrit të institucionit tuaj si mbështetës i këtij publikimi cenon kredibilitetin institucional dhe përgjegjësinë publike që e shoqëron atë.

Për këtë arsye, kërkojmë nga ju që të tërhiqni emrin e institucionit tuaj nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim.

Ruajtja e së vërtetës historike nuk është thjesht çështje akademike, por për më tepër një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

Me respekt,

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Prishtinë, Kosovë.

 

Shpërndaje në: