Pala e dëmtuar kërkon nga Apeli burgim të përjetshëm për Pleskoviqin, mbrojtja thotë se ai në kohën e vrasjeve ishte në burg

Pala e dëmtuar kërkon nga Apeli burgim të përjetshëm për Pleskoviqin, mbrojtja thotë se ai në kohën e vrasjeve ishte në burg

Në Gjykatën e Apelit të hënën me rastin e elabrimit të ankesës së mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Millosh Pleskoviq u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte në Prizren, pala e dëmtuar kërkoi burgim të përjetshmëm. Në anën tjetër, avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq tha se në kohën kur pretendohet të kenë ndodhë vrasjet për të cilat ngarkohet Pleskoviq, ai ishte në burg.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjyqtarja referuese, Albina Shabani-Rama njoftoi se ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar avokatja Filipoviq.

Ndërsa, përgjigje në ankesë, Shabani-Rama tha se ka parashtruar pala e dëmtuar, Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit, duke propozuar që vendimi Themelores të vërtetohet.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gent Gjini tha se Themelorja saktë ka vërtetuar faktet vendimtare, por se ndaj të akuzuarit duhet shqiptuar dënim maksimal prej 20 vitesh burgim.

Vetë e dëmtuara Mihrije Daçaj tha se i janë vrarë dy djemtë binjakë dhe se burgu prej 15 vitesh është pak. Ajo kërkoi burg të përjetshëm.

“Dy djemë m’u kanë vra, pak o 15 vjet burgim. Përjetshëm duhet”, tha Daçaj.

Kurse, avokatja Filipoviq kishte vërejtje në vendimin e Themelores dhe tha se Prokuroria i kishte hetimet tendencioze.

Sipas Filipoviq, shkalla e parë nuk mblodhi provat që si mbrojtje kishin propozuar të nxirreshin. Ajo shtoi se në kohë e kryerjes së veprimeve, Filipoviq ishte në burg dhe jo polic.

Gjithnje sipas avokates, nuk është arritur të dihet saktë vendi i kryerjes së veprës penale, pasi që dëshmitarët kanë përmend vend tjetër, aktakuza tjetër dhe vendimi Gjykatës vend tjetër të kryerjes së veprës penale.

Për dëshmitarin anonim, Filipoviq tha se deklaratën e dhënë nuk e kanë pasur në dispozicion, duke iu pamundësuar mbrojtje efektive.

Gjatë elaborimit të ankesës nga avokatja e të akuzuarit Pleskoviq, Jovana Filipoviq, reagoi pala e dëmtuar- Bashkim Kastrati, duke iu drejtuar asaj në gjuhën serbe.

Por, kryetari i kolegjit të Apelit, gjykatësi Mentor Bajraktari ia tërhoqi vërejtjen dhe kërkoi nga pala e dëmtuar të mos e përsëritë këtë veprim.

Në fund, gjykatësi Bajraktari tha se brenda afatit të arsyeshëm, palët do ta pranojnë vendimin.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 korrik 2025, e ka dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, për krime lufte në Kosovë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq ngarkohej për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.

Shpërndaje në: