Panenka paralajmëron sllovakët: Ju jeni më të dhënë pas futbollit sesa çekët, por kosovarët…
Legjenda e futbollit evropian, ish-përfaqësuesi i Çekosllovakisë Antonin Panenka, ka paralajmëruar kombëtaren e Sllovakisë para duelit vendimtar ndaj Kosovës, të vlefshëm për kualifikim në Kupën e Botës.
Përpara këtij takimi, çeku Panenka vlerësoi lojtarët sllovakë, por gjithashtu ngriti një gisht paralajmërues.
Kampioni Evropian i vitit 1976 paralajmëroi për cilësinë e nënvlerësuar të Kosovës dhe shpjegoi pse stadiumi vendas mund të jetë një armë me dy tehe për ekipin sllovak, shkruan sot portali sllovak Sport24.sk.
Kosovës do t’i mungojë kapiteni Amir Rrahmani dhe mesfushori kryesor Leon Avdullahu. Megjithatë, Panenka paralajmëroi sllovakët për cilësinë e Kosovës, duke vënë në theks 11 lojtarët që luajnë në ligat e Italisë dhe Gjermanisë.
“Shumë njerëz i nënvlerësojnë Kosovën, por këto ekipe ballkanike kanë lojtarë shumë të mirë. Mos i nënvlerësoni. Janë të zjarrtë dhe luftëtarë të fortë. Shumë prej tyre luajnë në ligat kryesore evropiane, që tregon gjithçka. Nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë,” tha Panenka për Sport24, autor i goditjes ikonike të penalltisë në finale të Evropianit më 1976.
Megjithatë, ikona e futbollit çeko-sllovak vlerësoi edhe forcën e Sllovakisë.
“Në ekipin sllovak ka shumë futbollistë të shkëlqyer, dhe shumica e tyre janë afirmuar edhe jashtë vendit. Mund të them se keni një ekip më futbollistik se sa ekipi ynë çek”, lavdëroi ai sllovakët.
Sllovakia do ta presë Kosovën të enjten në stadiumin Tehelne të Bratisllavës para tifozëve të vet. Panenka paralajmëroi se presioni i stadiumit vendas mund të jetë një armë me dy tehe.
“Në ndeshjen kundër Kosovës, lojtarët duhet të tregojnë luftë dhe përkushtim, sepse kundërshtari do t’i ketë këto karakteristika. Avantazhi juaj është se luani në shtëpi para tifozëve tuaj. Lojtarët duhet të tregojnë në fushë se ndiejnë mbështetjen e tyre, gjë që ndonjëherë krijon presion dhe mund të jetë shumë sfiduese. Natyrisht, do të mbështes Sllovakët me gjithë zemër,” shtoi legjenda çek.



