“Para 3 viteve ka pasur probleme me një nga të dyshuarit” – Si ndodhi vrasja e boksierit kosovar, Besar Nimani
Dje në mbrëmje në Bielefeld të Gjermanisë, ish-boksieri profesionist, Besar Nimani është qëlluar për vdekje. Lajmi fillimisht u dha nga vëllau i tij, Berati, i cili tha se është vra në pritë nga disa persona të panjohur. Madje me një nga ta ish-boksieri kishte pasur telashe, shkruan Periskopi.
“Sot ne një prit ne Bielefeld te Gjermanisë është vra vllau im Besar Nimani.Ishalla Zoti na bashkon ne xhenet me ta.Përjet e mot krenar me ty, shpirtin me ta marr tradhitisht kan mujt vra por me poshtru kurr askush.Te dua”, shkroi Berat Nimani.
Siç u raportua në media, dyshohet se boksieri shqiptar u vra nga një irakian, por ende nuk dihen arsyet.
Megjithatë vëllau i tij ka treguar se para tre viteve viktima me njërin nga të dyshuarit kishte pasur një problem.
“Para tre viteve njëri nga të dyshuarit kishte hyrë në lokalin e Besarit, dhe kanë pasur një debat aty, Besari e ka qitur jasht lokalit”, tha ai për Paparacin.
Ai shtoi se Besari u qëllua në rrugë derisa po shkonte në një organizim për përvjetorin e vdekjes së shokut të tij.
“Kur ka ndodh rasti Besari i ka sjell fëmijët dhe bashkëshorten te unë, pastaj ka dal në qytet për të shku në përvjetorin e vdekjes së një shokut të tij, gjatë rrugës ka shku me marr një shok tjetër në lokal ndërsa tre persona e kanë pritur në rrugë dy nga të cilët e kanë qëlluar Besarin”, tha Nimani.
Ndërkohë Policia dhe Prokuroria dolën me detaje të tjera.
Sipas njoftimit të policisë dhe prokurorisë gjermane “të shtunën në mbrëmje, 9 mars 2024, një 38-vjeçar nga Bielefeld vdiq si pasojë e të shtënave në qendër të qytetit. Personat e dyshuar janë në arrati”. Mediat kryesore gjermane kanë shkruar për rastin duke theksuar se bëhet fjalë për ish -bokserin kosovar Besar Nimani.
Tutje, në njoftim thuhej se sipas gjetjeve aktuale, viktima ndodhej në zonën e Obernstrasse Klasingstrasse rreth orës 18:00 kur “një ose më shumë autorë janë afruar dhe kanë qëlluar”.
Policia theksoi se shtetasi kosovar, ka vdekur në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të rënda.
Por, ish- boksieri në vitin 2013 u raportua se ishte plagosur pasi ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri, ku bëhej fjalë për betej për pushtet mes grupeve rivale në Bielefeld.
Sipas gazetës Landes-Zeitung në atë kohë thuhet se ka pasur konflikte mes grupeve shqiptare, të cilave i përkiste Nimani, dhe një grupi tjetër me prejardhje turke.
Tashmë Policia ka nisur një operacion të madh policor dhe është në kërkim të personave të dyshuar.
Besar Nimani e kishte një karrierë fantastike boksi, me 26 fitore dhe pa humbje. Ai la pas vetës tre fëmijë dhe guran e tij.



