Para një muaji u arrestua si i dyshuar për vrajsen e dy vëllezërve të gruas: Prokuroria jep detaje për Astrit Isufin
Dje janë bërë një muaj që Astrit Isufi nga Drenasi është në paraburgim si i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në Gollubovc të Malishevës, shkruan Periskopi.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar për Periskopin se Astrit Isufit i është vazhduar masa e parburgimit.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se ndaj të pandehurit A.I., është vazhduar masa e paraburgimit, sipas vendimit të Gjykatës të datës 03.12.2025”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Periskopin.
Si kishte ndodhur ngjarja?
Naim dhe Driton Morina janë dy vëllezërit të cilët dyshohet se u vran nga burri i motrës së tyre, Astrit Isufi.
Ngjarja kishte ndodhur afër shtëpisë së viktimave, të cilët po prisnin njerëz për ngushëllime për vdekjen e babait të tyre.
Po atë ditë, i dyshuar Astrit Isufi ka shkuar ta marr bashkëshorten e tij. Pasi është larguar disa metra nga oborri, është kthyer përsëri dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.
Të dy kanë ndërruar jetë në vend.
“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë,” kishte thënë një i afërm i familjes, për Sinjalin.
Astriti, pas ngjarjes ishte arratisur, por u kap nga Policia teksa fshihej në një shtëpi të pabanuar në fshatin Pllaçicë, jo larg vendit të ngjarjes.
Në momentin e kapjes, Isufi ishte i lënduar. Menjëherë pas arrestimit, atij iu ofrua ndihmë e parë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërsa më pas u dërgua për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast të rëndë.



