Paralajmëron Hasani: Zgjedhjet me vendim të Kushtetueses rrezikojnë rendin kushtetues

Paralajmëron Hasani: Zgjedhjet me vendim të Kushtetueses rrezikojnë rendin kushtetues

Shkuarja në zgjedhje të reja me urdhër të Gjykatës Kushtetuese si pasojë e ngërçit në Kuvend do ta komprometonte rëndë këtë institucion, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Ai, në një intervistë  për KosovaPress, thotë se pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ani pse tejkalohet afati tridhjetë ditorë i Gjykatës Kushtetuese, ku ka obliguar deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Në ditën e fundit të këtij afati, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sot të zgjedhin trupat e legjislativit edhe në përpjekjen e 53-të, derisa pritet të mblidhen edhe një herë të shtunën në orën 22:00.

Gjykata Kushtetuese më 24 korrik ka nxjerrë masë të përkohshme për seancën konstituive, ku ua ndalon deputetëve të marrin vendime nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Përkitazi me këtë, Hasani thotë se Kushtetuesja, në aktgjykimin final pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, do të konstatojë se deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo prej 1 majit, kur është propozuar votimi i fshehtë për kryeparlamentarin, ka nisur gjendja jo-kushtetuese, që tani duhet të adresohet nga Kushtetuesja.

 

Sipas tij, Gjykata duhet të sqarojë vetëm edhe një çështje – sa herë mund të propozohet i njëjti kandidat brenda afatit tridhjetëditor, duke llogaritur nga dita kur ka nisur jo-kushtetutshmëria për shkak të veprimit të Avni Deharit.

Sipas tij, edhe nëse do të pranohej, për hir të diskutimit teorik, se Kuvendi është formalisht i konstituuar, Gjykata Kushtetuese nuk do të mund dhe nuk do të duhej të jepte një urdhër për shpërndarje të Kuvendit apo për organizim zgjedhjesh.

Ai thekson se dekretimi për shkuarje në zgjedhje, në rast krize, mund të ndodhë vetëm si sanksion kushtetues, përmes procesit të decertifikimit të të zgjedhurve të parë të popullit.

Duke komentuar aktgjykimin e mundshëm të Kushtetueses, pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, Hasani thotë se Gjykata Kushtetuese ka për të konstatuar që deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo sipas tij pas asaj dite ka nisur një gjendje jo-kushtetuese, e cila tani duhet të adresohet nga vetë Gjykata.

“Nuk ka rrugë tjetër që Gjykata mund ta justifikojë këtë situatë. Nëse vepron ndryshe, komprometohet”, tha ai.

Shpërndaje në: