Pas 26 vjetësh pritje, eshtrat e Rasim Koçit prehen në Çabrat

Pas 26 vjetësh pritje, eshtrat e Rasim Koçit prehen në Çabrat

Pas 26 vjetësh e 10 muajsh pritje të gjatë dhe të dhimbshme, familjarët e Rasim Koçit nga Gjakova më në fund do ta përcjellin për në banesën e fundit. Eshtrat e tij do të prehen në Varrezat e Martirëve në Çabrat.

Rasim Koçi ishte vrarë dhe zhdukur më 1 prill 1999 në afërsi të fshatit Osekë e Sylë. Që nga ajo kohë, familja e tij kishte jetuar mes shpresës dhe pasigurisë për fatin e tij, transmeton lajmi.net.

“Përveç dhimbjes dhe ankthit që kemi pasur, kjo është njëfarë çlirimi për ne, për familjen. Tani e dimë se ku do të prehet i ndjeri, sepse ne kemi përvojë të hidhur me tri luftërat e fundit; në të tria kemi humbur meshkuj, kësaj radhe tre. Kështu që ky ka qenë një lehtësim i madh për ne dhe vazhdon të jetë lehtësim, përveç dhimbjes dhe mërzisë. Po ashtu e lusim Zotin që të gjithë të pagjeturit tjerë të gjinden dhe të prehen në tokën e tyre”, tha Ali Koçi, familjar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, rikujtoi se çështja e personave të zhdukur mbetet ende plagë e hapur për shumë familje në Kosovë.

“Fati i këtij personi për 26–27 vjet nuk dihej, ashtu siç nuk dihet edhe fati dhe vendndodhja e më shumë se 1.500 personave të tjerë, meqë Serbia gjatë kohës së luftës, krahas vrasjeve, rrëmbimeve dhe zhdukjeve, gjithmonë ka bërë përpjekje për rrëmbimin e personave dhe kufomave, për të fshehur krimet e tyre të vazhdueshme të përmasave gjenocidale. Sigurisht që në këtë rast ka dhimbje të madhe për familjen dhe për Gjakovën, dhimbje që mund të mposhtet vetëm me krenari për atë që i kanë dhënë atdheut”, deklaroi Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Para varrimit, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” u organizuan homazhe, ku qytetarë të shumtë nderuan jetën dhe kujtimin e Rasim Koçit.

Shpërndaje në: