Pas miratimit të buxhetit, Rama : Imazh si funksionon demokracia, jo për të bllokuar, por për përgjegjësi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit që miratuan buxhetin për Prishtinën për këtë vit.
Rama tha se ata dëshmuan lidership politik dhe se me këtë treguan si funksionon demokracia.
“Mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit që sot dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kryeqytetit. Mirënjohje për qytetarët e Prishtinës, të cilët me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik, për vendimmarrje të përgjegjshme dhe për ndërtimin e së ardhmes së qytetit. Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asamblistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar. Kjo është diferenca mes politikës të së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”.
Rama tha “kjo mendësi është themeli i zhvillimit”.
“Vetëm kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që prekin jetën e qytetarëve. Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake. Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen. Na priftë e mbara”.
Postimi i plotë:



