Pas shumë problemeve, vjen një lajm i mirë për Ergys Kaçen
Sigurisht që Dinamo e Zagrebit do të ishte një skuadër interesante dhe shumë e mirë për të rehabilituar Kaçen, i cili për hir të së vërtetës po kalon një nga momentet më të vështira në karrierën e tij.
Nëse skuadrat do të gjejnë gjuhën e përbashkët, ai do të ketë një shans të artë për të treguar vlerat në një pjacë shumë interesante të futbollit europian.
Pas problemeve të shumta në fundin e vitit që lamë pas (përjashtimit nga Kombëtarja, largimit nga Plzeni, jashtë planeve të PAOK-ut), duket se në këtë merkato të janarit do të vijë zgjidhja për të.
Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se për Kaçen është interesuar një ekip i madh si Dinamo e Zagrebit dhe tani palët janë duke biseduar për huazimin e tij. 23-vjeçari që është në pronësi të PAOK-ut u huazua në merkaton e verës te Viktoria Plzen, por aventura e tij në Çeki nuk zgjati shumë.
Pas problemeve që pati me trajnerin De Biazi, fati i tij ishte i njëjtë edhe në skuadrën ku aktivizohej. Ai nuk arriti të linte gjurmë dhe vendosi të rikthehej sërish te PAOK-u.



