Pas sulmeve në Siri, Trump: SHBA do të godasë edhe më fuqishëm se kurrë
Forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore të shumta në Siri, duke goditur dhjetëra objektiva të lidhura me grupin terrorist ISIS, si përgjigje ndaj sulmit të fundit ku humbën jetën disa ushtarë amerikanë.
Ky operacion vjen si një hakmarrje e drejtpërdrejtë për vrasjen e forcave amerikane dhe synon dobësimin e strukturave të ISIS në rajonin sirian.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur se mbështeti personalisht këtë aksion, duke e cilësuar atë si “një hakmarrje shumë serioze”. Ai theksoi se vrasja e egër e ushtarëve amerikanë nga ISIS-i ka sjellë një përgjigje të fuqishme nga SHBA, duke shtuar se sulmet synojnë fortesat e ISIS në një vend që ka vuajtur shumë, por që mund të ketë një të ardhme të ndritur pas zhdukjes së grupit terrorist.
Trump gjithashtu deklaroi se qeveria siriane, e udhëhequr nga një lider që punon për rikthimin e madhështisë së vendit, e mbështet këtë aksion. Presidenti paralajmëroi gjithashtu se “të gjithë terroristët që kërcënojnë amerikanët duhet të dinë se do të goditen më fuqishëm se kurrë më parë”.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara publikoi pamje nga operacioni “Hawkeye Strike”, një aksion i përbashkët amerikano–jordanez që goditi më shumë se 70 objektiva të ISIS-it në pjesën veriore dhe qendrore të Sirisë.
Kujtojmë se në një sulm të mëparshëm në qytetin e Palmyras humbën jetën dy ushtarë amerikanë nga “Iowa National Guard” dhe një përkthyes civil amerikan, ngjarje që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të SHBA-ve me këtë operacion të gjerë ushtarak.



