Pas vendimit të Supremes për Kelmendin, KPK`ja e cilëson si “situatë juridike të paqartë”
Emërimi i Agron Qalajt në pozitën e Ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, rezulton se ishte i kundërligjshëm, sipas Gjykatës Supreme.Kjo gjykatë, më 16.12.2025 ka nxjerrë vendim me të cilin ka konstatuar se vendimi për shkarkimin e u.d Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi me datë 20.11.2025 ishte i kundërligjshëm meqë nuk kishte kuorum.
Supremja ka thënë se çdo vendim që ishte marrë pas shkarkimit të Kelmendit atë ditë, është i kundërligjshëm.
Atë ditë, sipas gjykatës, nuk ishte votuar rendi i ditës për mbledhjen e KPK-së dhe as nuk kishte kuorum që të votohej shkarkimi i Kelmendit.
Gjykata Supreme ka thënë se në mbledhje kishin qëndruar, Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, Milot Krasniqi, Jetish Maloku, Jehona Grantolli dhe Ariana Shajkovci. Kurse, u.d Kryeprokurori Besim Kelmendi, Veton Shabani, Visar Krasniqi, Arian Gashi dhe Dardan Vuniqi kishin lëshuar takimin duke pamundësuar kuorum.“{…} në rastin konkret Këshilli nuk ka pasur fare kuorum për hapje të seancës me pikë të rendit të ditës shkarkimin e U.D të Kryeprokurorit por që ka qenë dashur që të siguroj së paku 6 anëtar nga përbërja aktuale që juridikisht janë 11 sepse nuk është aprovuar dorëheqja apo ka mbetur pezull çështja e tyre, por edhe në rastin tjetër që janë 10 anëtarë kuorumi duhet të sigurohet nga 5 plus 1 anëtarë pra 6 anëtarë dhe rrjedhimisht me 5 anëtar këshilli nuk mund të ushtroj asnjë funksion të thjeshtë as të mbaj mbledhje e lëre më të procedojë me vendimmarrje apo edhe shkarkim”- thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata ka thënë se votimi ishte bërë me pesë vota, madje përmendet edhe pjesa ku Ardian Hajdaraj kishte thënë që nuk ka kuorum në momentin që pesë anëtarët e Këshillit e kishin lëshuar mbledhjen e ku më pas mbledhja ishte përmbyllur.
Por, tutje Supremja ka gjetur si shkelje në procedurë edhe pjesën kur anëtarët e KPK-së janë kthyer herën e dytë për të votuar për shkarkimin e Kelmendit, pa u njoftuar pesë anëtarët e tjerë të Këshillit të cilët ishin larguar. Se takimi i thirrur ishte i kundërligjshëm, Supremja e arsyeton me faktin se në momentin kur përfundon një mbledhje aty përmbyllet gjithçka. Dhe me të thirrur mbledhjen e re duhet të njoftohen të gjithë anëtarët dhe të njoftohen me pikat e rendit të ditës 24 orë para mbledhjes.“{…} pastaj në video incizim dëgjohet kryesuesi i Këshillit duke i thënë anëtarëve të mbetur posaçërisht zëvendës Kryesueses nuk e di a kemi kuorum dhe kështu ka përfunduar takimi, pra pa aprovim të pikave të rendit të ditës.
Ky takim nuk ka pas mundësi të vazhdohet sepse për tu vazhduar është dashur që të vendoset dhe të pajtohen anëtarët e KPK-së, mirëpo takimi tjetër është ftuar dhe mbajtur pastaj pa kuorum dhe është vendosur po ashtu pa kuorum, gjë që secili vendim që ka derivu nga takimi i dytë është jo ligjor sepse KPK-ja ka qenë në përbërje jo të rregullt konform dispozitave të Ligjit për Këshillin Prokurorial”- thuhet tutje në vendimin e KPK-së.
Sipas Gjykatës Supreme, në rend të parë është dashur të propozohet si pikë e rendit të ditës dhe të aprovohet pika e rendit të ditës për hedhjen në votim të shkarkimit të Kelmendit.Gjykata Supreme e ka gjetur këtë vendim si të kundërligjshëm duke e arsyetuar edhe me faktin se nuk dihet për cilat baza dhe për çfarë arsye është shkarkuar Besim Kelmendi.
Në arsyetim thuhet se Kelmendi është shkarkuar mbi bazën e pretendimit se ka shprehur qëndrime të njëanshme në media dhe në Këshill, të cilat qëndrime e kanë denigruar pozitën e tij dhe e kanë cenuar sistemin prokurorial.Sipas vendimit të Supremes nuk dihet se a është shkarkuar për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës dhe se me deklarimet e tij publike a përmbushen elemente të përgjegjësisë disiplinore.“{…}
Nga vendimi i atakuar nuk arrihet të kuptohet se ankuesi a është shkarkuar për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës dhe se në veprimet e tij/ deklarimet publike në Këshill dhe Media a plotësohen elementet e përgjegjësisë disiplinore pasi arsyet për të cilat është shkarkuar paraqesin elemente të shkeljes së Kodit të Etikës për Prokurorë, pasi aludohet në ushtrim mbajtje të qëndrimeve jo objektive favorizim, prononcim për media për çështje nuk munden me qenë të përshtatshme për prononcim…
”Por tutje Supremja i ka cekur disa prej arsyeve për shkarkim nga pozita e një anëtari, duke e komentuar dispozitën e shkarkimit për shkak të qëndrimeve personale e deklarimeve në media sipas Supremes pa ju dhënë mundësia për përgjigje, përsëri do të kishte shkelje nga KPK me shkarkim të drejtpërdrejtë pa ndjekur procedura për shkarkim.
“Shkarkimi për shkak të qëndrimeve personale, deklarimeve në media dhe këshill pa iu dhënë mundësia që i njëjti të dëgjohet përbën shkelje në vetvete nga ana e Këshillit, sepse personi në fjalë duhet të dëgjohet në raport me këto konstatime dhe jo të procedohet drejtpërdrejt në shkarkim”- thuhet në arsyetim.
Lidhur me anulimin e vendimit nga ana e Supremes dhe autorizimit të kësaj gjykate për rishqyrtim të kësaj lënde, KPK i ka thënë KALLXO.com se janë në një situatë të paqartë juridike, pasi janë iniciuar dy lëndë gjyqësore dhe se janë vendime të instancave të ndryshme të gjykatave të ndryshme.
“Njoftohet opinioni publik se ndodhemi para një situate juridike të paqartë, pasi që për të njëjtën çështje janë iniciuar dy lëndë gjyqësore dhe se vendimet e dy instancave të ndryshme të gjykatave janë të ndryshme. Lidhur me këtë vendim, KPK do ta trajtojë dhe do të caktojë takim të jashtëzakonshëm”- thuhet në përgjigjen e KPK .
Kujtojmë që Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ishte shkarkuar më 20.11.2025 nga kjo pozitë me 5 vota për, kurse vetë Klemendi dhe katër anëtarë të tjerë ishin larguar nga ajo mbledhje.Anëtarët e Këshillit kishin vendosur në po atë mbledhje që ushtures detyre i Kryeprokurorit të caktohet prokurori Agron Çalaj.
Pasi kishte përfunduar mbledhja ku ishte shkarkuar Kelmendi, katër anëtarët dhe Kelmendi kishin mbajtur një konferencë për media, ku kishin reaguar për procedurën që ishte zhvilluar në atë mbledhje.
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, në atë konferencë kishte thënë se në mungesë të kuorumit, veprimi i cili ishte marrë nga KPK për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë veprim i paligjshëm dhe i pavlefshëm.
“Pesë anëtarë sot kanë tentuar të marrin vendim pa kuorum. Votimi me 5 anëtarë nuk përbën mbledhje të konsitutuar, nuk ka efekt juridik” – kishte thënë Krasniqi gjatë konferencës për media.Krasniqi kishte thënë se propozimi për shkarkimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, bazohej në një logjikë të qartë të një puçi institucional duke tentuar të vendoset mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme.
Në atë konferencë të pranishëm kishin qenë Besim Kelmendi dhe anëtarët Veton Shabani, Arian Gashi dhe Dardan Vuniqi.Rreth kësaj ngjarjeje kishte reaguar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, e cila kishte thënë se shkarkimi i Kryeprokurorit të Shtetit pengon reformat e nevojshme në Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj për në BE.
“Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformimin e vazhdueshëm dhe të domosdoshëm të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”- thuhej në reagimin e Zyrës së BE-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ishte deklaruar para mediave më 24.11.2025.Osmani kishte thënë se janë duke analizuar procesin nga aspekti ligjor dhe se janë në bashkëpunim dhe koordimin me shtetet e QUINT-it për këto zhvillime. Sipas Osmanit është shqetësuese se si pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, pesë ditë më vonë kishte mbajtur konferencë për media ku kishte thënë se shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është bërë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
Hajdaraj ka pretenduar se Kelmendi kishte shkuar në mbledhje me qëllim për të bllokuar punën e Këshillit.
“Pas zhvillimeve të fundit, siç e dini, në takimin e mbajtur me datë 20.11.2025, ushtruesi i detyrës Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë kanë lëshuar mbledhjen. Në atë takim këta anëtarë të Këshillit erdhën të përgatitur me blloku punën e Këshillit. Për këtë arsye kemi marrë vendim për shkarkim.
Për arsye politike, KPK ka mbetur pa kryeprokuror dhe sot ritheksojmë se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe për rrethanat e krijuara, kemi marrë vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës Besim Kelmendi nga pozita që ushtronte dhe në vend të tij si ushtrues detyre e kemi caktuar Agron Qalajn, i cili është prokuror në ZKPSH” – kishte thënë Hajdaraj para gazetarëve.
Duarkryq rreth këtyre veprimeve nuk kishte ndenjur Besim Kelmendi, i cili kishte filluar ndjekjen e hapave ligjorë rreth shkarkimit të tij.Kelmendi kishte paraqitur padi në Gjykatën e Prishtinës përmes të cilës ka kërkuar që të vendoset masa e sigurisë nga Gjykata dhe i ka kërkuar Gjykatës që ta anulojë vendimin e KPK-së që, sipas tij, është i kundërligjshëm.
Gjykata e Prishtinës deparamenti për cështje administrative nuk kishte vendosur masë të sigurisë për këtë rast.Lidhur me këto ngjarje në Këshillin Prokurorial të Kosovës kishte reaguar edhe Prokuroria Speciale.Të njejtit përmes një reagimi kishin thënë se PSRK dhe as Kryeprokurori i PSRK-së nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së.Sipas PSRK-së çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.
“Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë PSRK.
Prokuroria Speciale ka riafirmuar angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe trasnparencë.



