Për herë të parë në histori, Australia vë një grua në krye të ushtrisë
Australia të hënën ka njoftuar se një grua do të drejtojë ushtrinë e saj për herë të parë në histori, si pjesë e një riorganizimi të udhëheqjes së forcës mbrojtëse të vendit.
Gjeneral-lejtnant Susan Coyle, shefja aktuale e kapaciteteve të përbashkëta, do të bëhet shefe e ushtrisë duke filluar nga korriku, ka thënë qeveria në një deklaratë. Ajo do të zëvendësojë Gjeneral-lejtnant Simon Stuart.
Emërimi i Coyle vjen ndërsa ushtria australiane synon të rrisë numrin e oficereve gra në radhët e saj.
“Nga korriku, do të kemi shefen e parë grua të ushtrisë në historinë 125-vjeçare të ushtrisë australiane,” ka thënë kryeministri Anthony Albanese në një deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e ka quajtur emërimin e Coyle një “moment thellësisht historik”.
“Arritja e Susan do të jetë thellësisht e rëndësishme për gratë që shërbejnë në Forcën Mbrojtëse Australiane sot dhe gratë që po mendojnë të shërbejnë në Forcën Mbrojtëse Australiane në të ardhmen”, ka thënë Marles.
Coyle, 55 vjeç, u rekrutua në ushtri në vitin 1987 dhe ka mbajtur një numër rolesh të larta komanduese. Ajo do të jetë gruaja e parë që do të udhëheqë ndonjë degë shërbimi të ushtrisë, sipas Marles.
Gratë aktualisht përbëjnë rreth 21% të Forcës Mbrojtëse Australiane (ADF) dhe 18.5% të roleve të larta udhëheqëse. ADF-ja ka vendosur një objektiv prej 25% të pjesëmarrjes së përgjithshme për gratë deri në vitin 2030.



