Përfundon derbi i Superligës, Prishtina shpëton nga humbja
Ka përfunduar gjithçka në stadiumin mitik ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen mes Prishtinës dhe Feronikelit.
Me një fitore eventuale ‘Bardhekaltërit’ do të afroheshin në garën për titull, por ndeshja u mbyll me barazim 1-1.
Mbrojtësi Leutrim Bekteshi (17′) çoi në këmbë 2500 tifozët që ishin të pranishëm në stadium, pasi shënoi me kokë pas krosimit të Armend Thaçit për epërsinë e vendasve.
Në minutat në vijim, Nikli kërkonte barazimin por nuk e gjeti në 45 minutëshin e parë.
Në minutën e 57-të gjërat për ekipin e Mirel Josës u vështirësuan kur Lorik Boshnjaku (58′) u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Këtë e shfrytëzoi mjaft mirë Feronikeli që barazoi rezultatin me Mendurim Hotin (65′) pas asistimit të Arbër Prekazit.
Deri në fund, mysafirët kishin raste të mira por nuk arritën të ishin të saktë para Visar Bekajt.
Me këtë barazim, Prishtina ngjitet sërish në pozitën e dytë me 44 pikë, aq sa ka edhe Llapi një pozitë më poshtë, ndërsa Feronikeli është i relaksuar si lider m e 49 pikë. /Periskopi/



