Përleshja me Pogban? Lukaku godet mediat me postimin e fundit

Përleshja me Pogban? Lukaku godet mediat me postimin e fundit

Romelu Lukaku ka reaguar përmes llogarisë së tij në rrjetin social Twitter, ndaj lajmit për një zënkë mes tij dhe Paul Pogbas, pas fitores së Manchester Unitedit kundër Southamptonit, me rezultat 3:2. Sipas The Sun, zënka ndodhi për shkak të penalltisë që mesfushori francez e humbi në minutat shtesë të lojës.

The Sun kishte raportuar se Pogba, i cili i gjuan gjithmonë penalltitë për “Djajtë e kuq”, insistoi që ta bëjë këtë gjë edhe në atë ndeshje, përkundër që Lukaku e kishte mundësitë për ta kompletuar het-trikun e tij.

Lukaku ishte zemëruar me francezin pasi që besonte se i kishte ndihmuar Pogbas gjatë kohës që trajner kishte qenë Jose Mourinho. Për këtë arsye, ai mendonte se e meritonte që Pogba t’ia jepte mundësinë për ta gjuajtur penalltinë.

Trajneri në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, u detyrua të ndërhyjë mes dy miqve të mirë,  për ta qetësuar gjendjen në zhveshtore, sipas The Sun. Megjithatë, Lukaku i ka mohuar këto spekulime përmes një postimi në Twitter.

“Kur urrejtja nuk kryen punë, ata fillojnë të tregojnë gënjeshtra…”, shkruan Lukaku

Manchester Unitedi ishte duke pësuar disfatë në ndeshjen e së shtunës, në kuadër të Premierligës, në Old Trafford, në pjesën e parë. Por, “Djajtë e kuq” u treguan më të mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që Andreas Pereira dhe Romelu Lukaku e shënuan nga një gol brenda gjashtë minutave.

Rezultati u barazua përsëri në minutën e 75-të përmes golit të shënuar nga James Ward-Prowse. Mirëpo, në minutën e 88-të, Lukaku e shënoi edhe golin e tij të dytë për këtë ndeshje. Paul Pogba gaboi nga penalltia në minutat shtesë të lojës, duke bërë kështu që ndeshja të përfundojë me rezultat 3:2.

Këto tri pikë janë mjaft të rëndësishme për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, pasi që tani ata ngrihen në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës, pas barazimit të Arsenalit kundër Tottenhamit.

 

Shpërndaje në: