Përplasje në dhomën e zhveshjes së PSG-së – ukrainasi e pranon se nuk flet me rusin
Në orët e fundit ka shpërthyer një konflikt i ri brenda dhomës së zhveshjes së parisienëve, pavarësisht një nisjeje të shkëlqyer të sezonit me fitimin e Superkupës së Evropës dhe tri fitore në tri xhirot e para të Ligue 1 (kundër Nantes, Angers dhe Toulouse).
Pra, te Paris Saint-Germain nuk ka vetëm lajme të mira. Përtej sagës me Gianluigi Donnarumma, e cila përfundoi me transferimin e portierit italian te Manchester City, ka shpërthyer një konflikt i ri brenda dhomës së zhveshjes së PSG-së.
Me afrimin e Illya Zabarnyi në PSG në fund të afatit, në Francë u spekulua se si do të ishte marrëdhënia e tij me portierin Matvei Safonov.

Qendërmbrojtësi ukrainas duhej të përballej me situatën e vështirë të ndarjes së dhomës së zhveshjes me portierin rus, kur të dy vendet janë në luftë që nga 24 shkurti 2022. Por, më në fund transferimi u realizua për një shumë afër 63 milionë euro.
Tani, pas disa javësh bashkëjetese mes të dy lojtarëve, Zabarnyi dha një intervistë për emisionin ukrainas “Football 360”, ku u shpreh për luftën me Rusinë.
“Ne vendin tim, një luftë në shkallë të gjerë po vazhdon tash katër vite. Rusët janë agresorët që përpiqen më kot të shkatërrojnë lirinë dhe pavarësinë e Ukrainës. Lufta vazhdon dhe unë nuk mbaj asnjë marrëdhënie me rusët”, deklaroi ai, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Qendërmbrojtësi ukrainas shpjegoi gjithashtu edhe marrëdhënien e tij me shokun e skuadrës, Safonov.
“Sa i përket shokut tim të ekipit, duhet të bashkëpunoj me të në nivel profesional në stërvitje dhe do t’i përmbush detyrimet e mia ndaj klubit. Derisa të vazhdojë lufta, unë mbështes plotësisht izolimin total të futbollit rus në botë”, nënvizoi mbrojtësi. /Periskopi/



