Petkoviqi shpreh keqardhje për largimin e Behramit nga përfaqësuesja e Zvicrës

Petkoviqi shpreh keqardhje për largimin e Behramit nga përfaqësuesja e Zvicrës

Menaxheri i përfaqësueses së Zvicrës, Vladimir Petkoviq, ka thënë të premten se ndjen keqardhje me vendimin e Valon Behramit për t’u pensionuar nga futbolli ndërkombëtar, pasi mesfushori tha se ai është larguar nga përfaqësuesja nga vet trajneri.

Behrami kishte thënë se është përjashtuar nga përfaqësuesja zvicerane nga përzgjedhësi Vladimir Petkoviq.

Në një intervistë për “RSI Sport”, Behrami më 6 gusht, tha se kishte pranuar një thirrje nga Petkoviqi me ç’rast ai e ka përjashtuar nga kombëtarja. Behrami e ka quajtur këtë vendim politik. Petkoviqi ka thënë se vendimi ishte vetëm sportiv.

“Mendoja se ishte thirrje normale, por në vend të kësaj më përjashtoi. Kjo është zgjedhje politike, trajneri mund të thotë gjithçka”, kishte thënë Behrami.

Behrami, 33-vjeç, i lindur në Kosovë, luajti në fitoren ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror, ku lojtarët tjerë të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteineri u gjobitën nga FIFA për bërjen e simbolit të shqiponjës dykrenare si festime të golave.

Pavarësisht sugjerimeve nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Zvicerane të Futbollit (ASF) Alex Miescher se lojtarët me dy shtetësi nuk do duhen lejuar të luajnë për përfaqësuese, Petkoviqi insiston se vendimi për të lënë jashtë listës disa lojtarë të vjetër për ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve ishte për arsye futbollistike.

“Nuk e kam të drejtën të pensionoj lojtarë, vetëm mund të përzgjedh ose jo një lojtar”, tha Petkoviqi në një konferencë për media, sipas agjencisë zvicerane të lajmeve ATS.

“Vetëm kam dashur t’i informoj disa lojtarë se do të shfrytëzoj ndeshjet vjeshtore për t’u dhënë mundësi të tjerëve, në mënyrë që të di se kë e kam në dispozicion kur të zgjedh skuadrën për kualifikimet e vitit të ardhshëm për Euro 2020”, theksoi ai, transmeton Koha.net.

Edhe mesfushori i Eintracht Frankfurtit, Gelson Fernandes, u pensionua nga përfaqësuesja pasi zbuloi se do të lihet jashtë grumbullimit për ndeshjen hapëse për Ligën e Kombeve kundër Islandës më 8 shtator.

“Të gjithë kuptuan (arsyeshmërinë time), Gelson madje e kishte pritur se kishte vendosur të pensionohej, të gjithë përveç, fatkeqësisht, Valonit”, shtoi Petkoviqi.

“Më vjen keq për të, nuk e meriton këtë pas gjithçkaje që dha për skuadrën”.

Të premten, presidenti i ASF-së, Peter Gillieron, pranoi se ka pasur gabime dhe theksoi se nuk do të kandidojë më për këtë post me të përfunduar mandatin e tij në maj.

 

Shpërndaje në: