Pezullohen përgatitjet për samitin Trump-Putin në Budapest
Përgatitjet për një samit të mundshëm mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin, i planifikuar të mbahej në Budapest, janë pezulluar përkohësisht.
Ky zhvillim vjen pas vështirësive të hasura në komunikimet e para diplomatike mes dy palëve, si dhe për shkak të qëndrimeve të pandryshuara të Kremlinit mbi çështjen e Ukrainës.
Telefonata e parë zyrtare mes Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u cilësua si “produktive” nga burime zyrtare, por gjithashtu u bë e qartë se nuk pati përparim të mjaftueshëm për të çuar përpara bisedimet për samitin.
Vetë Trump raportohet se ka shprehur dyshime për vijimin e procesit, duke thënë se “të dyja palët ende nuk janë gati që bisedimet të ecin përpara në mënyrë kuptimplote”.



