Photoshop i keq? S’është asgjë në krahasim me këto videoklipe shqiptare
Në 2016-ën, një vajzë nga Kenia që Photoshop-onte veten në foto të vendeve historike u kthye në fenomen interneti. Njerëzit nisën ta mbështesnin sepse dreqi e mori, jo të gjithë kanë mundësi të shkojmë tek Muri i Madh Kinez, kështu që, ç’të keqe ka të shkosh atje virtualisht?

Po kështu, jo të gjithë e kanë mundësinë të shkojnë të bëjnë videoklip në Berlin, si Ledri me Noizy-n.

Në këto raste, realizuesit e videoklipeve shqiptare kanë treguar se s’është e nevojshme të shpenzosh gjithato para kur mund ta xhirosh fare mirë në studio me një sfond jeshil, dhe në videoklip të dalësh sikur ke qenë në Kroaci gjatë xhirimeve të “Game of Thrones”.
Shikojini pak Motrat Mustafa në videoklipin e këngës “Në dashuri nuk besoj më”. S’duket fare sikur është një pamje e dizenjuar virtualisht. Ose e blerë e gatshme në internet. S’ka rëndësi. Thjesht, nuk duket fare.
Ja dhe një këngë e bukur për pavarësinë e Kosovës nga Hysni Zela me të madhin Vagabond. Post produksioni ka qenë padyshim, pika më e fortë e videoklipit “Kosova e pavarur”.
Por sigurisht, kur mendojmë videoklipe të realizuar në studio, na shkon mendja menjëherë tek Gjyste Vulaj. Këngëtarja e njohur e përdor studion edhe kur e xhiron videoklipin vërtet jashtë vendit. Në disa pamje të këngës “Sexy Boy”, dallohet që Gjystja ka qenë vetë në sheshxhirim.
Kurse në të tjera, dallohet lehtësisht se Gjyste Vulaj nuk ka dalë me të brendshme sexy dhe zinxhirë në mes të rrugës. Kushedi përse.

Edhe tek ky videoklipi tjetër, “Kulçedra e vjetër”, ka pamje ku duket se Gjystja ka qenë vërtet aty.

Pastaj janë këto me ujëvara.

Sidoqoftë, ai që e urren aq shumë kurbetin sa nuk shkonte dot të xhironte atje, është Skënder Xhafa. Ai ka disa këngë për kurbetin dhe disa videoklipe, mes të cilave spikat “Ecja përmes Londrës”.
Nga metroja drejt Big Ben-it të famshëm, ky këngëtar i vizitoi të gjitha pa shpenzuar asnjë qindarkë.
Pastaj mori rrugën për një Amerikë, ku shkoi në Washington DC. Në kryeqendrën e botës, ky shqiptar na bëri krenarë duke kenduar shqip.



