Pjesë e UÇK’së, pastaj e TMK’së – Kolegu i viktimës në Austri: Më kujtohet kur e la uniformën, u nis në mërgim
Asllan Musliu nga fshati Zaplluxhë i Komunës së Dragashit është në mesin e tre shtetasve të Kosovës që vdiqën në një aksident tragjik të martën në Austri.
Musliu dhe tre të tjerë vdiqën si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit në një kantierë ndërtimi në distriktin Alsergrund të Vjenës. Ata mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Vdekjen e Musliut dhe dy shtetasve të tjerë kosovarë, Pajtim Bajrami dhe Istref Zekajt, e konfirmoi të mërkurën Ambasada e Kosovës në Austri.
Musliu kishte emigruar në Austri pasluftës, sipas fjalëve të Rrahim Bektashit, drejtorit të një shkolle fillore në Prizren, ish koleg i luftës me viktimën.
Bektashi tha se ndihej i trishtuar nga lajmi për vdekjen e Musliut, ish kolegut të tij në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit, rreshterit të Batalionit Gardist pran Z2M të Trupave Mbrojtëse të Kosovës: Asllan Musliu të cilin e njoha nga afër”, shkroi Bektashi të mërkurën.
“Ai gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pjesë e Drejtimit taktik nr 2 të operacionit ‘Shigjeta’”, tha Bektashi. “Më kujtohet dita kur e la uniformën dhe mori rrugën e mërgimit… ishte një ndarje emocionale…”
“Lamtumirë bashkëluftëtari im”, përmbylli Bektashi mesazhin e tij.



